Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një takim me Drejtorin Menaxhues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Besnik Berisha, për të diskutuar rolin e institucionit që ai drejton në lehtësimin e qasjes në financa dhe planet strategjike për fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
Gjatë diskutimit, Berisha theksoi kontributin e rëndësishëm të FKGK-së gjatë nëntë viteve të fundit, duke theksuar se totali i portofolios së kredive të garantuara nga Fondi ka arritur në 850 milionë euro.
Ai shprehu besimin e tij se kjo shifër do të kalojë 1 miliard euro deri në fund të vitit.
Aktualisht, u tha se vlera e garancive aktive është 139 milionë euro, duke reflektuar një rritje prej 17% gjatë vitit të kaluar.
“Berisha elaboroi gjithashtu dritaret aktuale garantuese të Fondit, duke përfshirë ato të krijuara për të mbështetur gratë ndërmarrëse, startupet dhe investitorët e diasporës. Duke theksuar angazhimin e Fondit për rritjen e mëtejme të qasjes në financa, ai mirëpriti kontributin e bizneseve të pranishme për dritaret e reja të mundshme të garancisë që mund të adresojnë më mirë nevojat e ndërmarrjeve që kërkojnë kredi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/