Site icon Telegrafi

Visar Bekaj në radarin e Sivassporit

Portieri i talentuar i Prishtinës u ka rënë në sy drejtuesve të klubit turk gjatë ndeshjes për turneun “Kupa e Republikës”, ku Bardhekaltrit ishin mysafirë për katër ditë në Sivas, shkruan Zëri.

Politikë e klubit kryeqytetas është që t’i promovojë sa më shumë lojtarët jashtë vendit dhe t’ua mundësojë atyre të transferohen në ligat tjera. Prandaj, Sivasspori do të ishte një mundësi ideale për portierin 17-vjeçar, i cili impresionoi në duelin e zhvilluar të premten.

“Drejtuesit e Sivassporit ishin të interesuar nëse ndonjëri prej lojtarëve të Prishtinës mund t’ju kryejë punë në të ardhmen për ta transferuar në Turqi. Atyre u ka rënë në sy portieri, të cilin mund ta transferojnë në të ardhmen”, ka thënë Mehmet Yarar, përfaqësues i “Kaptanlar Grup”, sponsor kryesor i Sivassporit, përcjell Zëri.

Portieri Bekaj ndihet i privilegjuar që dëgjon fjalë të mira për të nga Turqia. Ai thotë se momentalisht nuk ka marrë asnjë informatë, por e pranon se një interesim eventual i Sivassporit do ta nderonte.

“Unë mundohem ta kryej punën time, ta jap kontributin tim për Prishtinën, aty po mendoj tërë kohën. Mirëpo, ndihem i nderuar që iu kam pëlqyer. Sigurisht, secilit prej nesh do t’i pëlqente ta vazhdojë karrierën në ndonjë ekip evropian”, deklaroi Bekaj për Zërin.

Vitin e kaluar portieri shtatgjatë kishte nënshkruar kontratë trevjeçare me Prishtinën, ndërsa ajo i skadon pas një viti e gjysmë. Bardhekaltrit vazhdimisht eksportojnë lojtarë nëpër Evropë, përpos atyre në Kampionatin shqiptar.

Në të kaluarën nga Prishtina kanë dalë disa futbollistë jashtë vendit si Isuf Llumnica, Visar Berisha, Shqipran Skeraj, Enis Gavazaj, Berat Ahmeti etj.
 

Exit mobile version