Është absolutisht e pa drejtë dhe aspak njerëzore të tentohet edhe më tutje të hidhet faj mbi popullin shqiptar të Kosovës, kinse këta të fundit gjatë luftës në Kosovë kanë bërë krime, siç është rasti i Haradinajt dhe të tjerët po ashtu edhe rasti i Grupit Kleçka. Instrumentet shtetërore serbe përmes shteteve mike dhe mbështetëse të tyre, vazhdojnë të shantazhojn akoma luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njerëzve që e bënë luftën, që e mbrojtën popullin dhe identitetin e tyre nga gjenocidi serb gjatë shekullit të kaluar.

Pas gjitha këtyre shantazheve dhe trillimeve nga shteti serb në adresë të ish-ushtarëve të UÇK-së, institucionet e Kosovës vazhdojnë të heshtin dhe të mos veprojnë me kundër argumente. Në vend që të dërgojnë në mekanizmat vendimmarrës në botë argumente me të cilat mund të zbardhin të vërtetën e luftës në Kosovë, këta me çdo kusht duan t’i ikin të vërtetës dhe në bashkërendim me Bashkimin Evropian, të vazhdojnë negociatat me Serbinë e cila deri më tani jo vetëm që nuk e njeh realitetin në Kosovë, përkundrazi, vazhdon me shpifje kundër shqiptarëve, se ata janë kriminelë, se shpallja e pavarësisë është jo legjitime, se Kosova është territor që i takon Serbisë, se shqiptarët kanë bërë trafikim me organe njerëzore etj.


Nëse identifikohen viktimat e dhunimeve, identifikohen edhe dhunuesit

Ekzistojnë shumë arsye që e bëjë këtë shkrim, ndër më kryesoret është se e vërteta mbi luftën e Kosovës, si lufta më e dhimbshme, që mori me vete dhjetëra mijëra njerëz, dhe shkatërroi me dhjetëra fshatra e shtëpi, po mbetet nën hije dhe se kjo e vërtetë duhet të plasohet në opinionin e gjerë vendor dhe atë ndërkombëtar. Kosova nga lufta doli tërësisht e shkatërruar, dhe shumë kategori të shoqërisë mbetën thuajse nën mëshirën e askujt, e aq më keq kategoria më e rënd, përdhunimet, si plaga më e madhe e çdo populli pas luftës. Edhe lufta ka rregullat e veta, dhe në saje të këtyre rregullave duhet vepruar ushtritë të cilat e bëjnë luftën, por lufta në Kosovë nuk ka pasur respektim të rregullave nga ana e pushtuesit serb. Okupimi i Serbisë mbi Kosovën, përpos vrasjeve, dëbimeve masive, burgosjeve, masakrimeve, ata bënë edhe dhunime, si krimi më i rënd në luftë.

Akomodimi nëpër institucione të ndryshme të vendit i atyre që udhëhoqën luftën në Kosovë, lakmia për përfitime dhe interesa individuale e grupore, i kanë verbuar aq shumë sa të mos nxjerrin në pah një përkujdesje sado e vogël qoftë për këtë kategori të rënd të shoqërisë. Institucionet e Kosovës ka qenë dashur të bëjnë hulumtime rreth nënave, motrave dhe bijave të këtij populli që janë viktima të përdhunimeve nga kriminelët serb gjatë luftës, ku pjesa më e madhe e tyre ose kanë informacione mbi aktorët e përdhunimit, ose edhe i kanë njohur ata personalisht se i kanë pasur fqinjë, ose i kanë pasur bashkëqytetarë e bashkëfshatarë, ngase pjesa më e madhe e aktorëve të përdhunimeve kanë qenë serbët paramilitar të veshur nën ombrellën e çetnikëve serb. Nëse këtë do ta bënin institucionet tona, dhe të përgatiteshin në mënyrë institucionale një padi për krimet që janë bërë në Kosovë nga Serbia dhe të dërgonin në gjykatën ndërkombëtare për drejtësi, dhe në mekanizmat vendimmarrës në botë, jam shumë i bindur se edhe Dik Marti edhe të tillët si ai, nuk do të dilnin me raporte diskriminuese për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, por edhe Serbia dhe shteti i tyre ndryshe do t’i qasej politikave të saja ekstremiste ndaj Kosovës.

Përpos kësaj, institucionet e Kosovës duhet të jenë më sy hapur karshi kësaj kategorie të rënd shoqërore, për faktin se, pas përjetimeve të përdhunimeve masive që kanë ndodh gjatë luftës në Kosovë, viktimat tani e dymbëdhjetë vite vazhdojnë të jenë në një gjendje shumë të rënduar psikike dhe fizike, por edhe ekonomike.

Shoqatat që ekskluzivisht merren me këtë çështje, duhet të ngritin zërin dhe të shtojnë trysni tek institucionet e Kosovës që viktimat e përdhunimeve në Kosovë, t’i njohin si kategori e ndjeshme dhe që ka nevojë të madhe për përkujdesje morale, ekonomike dhe mjekësore. Nëse kjo kategori e rënd e shoqërisë në Kosovë, do të njihej në mënyrë institucionale dhe të debatohet rreth kësaj, jam shumë i bindur se edhe viktimat e përdhunimit do të ndiheshin më të relaksuara dhe në një farë mënyrë më të guximshme për të rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar gjatë luftës, dhe përderisa vazhdohet kështu, nuk do të kemi mundësi të identifikojmë të gjitha viktimat për faktin se nuk e ndjejnë dorën e shtetit dhe nuk kanë siguri dhe mirëkuptim nga rrethi qoftë familjar por edhe ai shoqëror. Realisht, këto nëna, motra tona, me të drejtë mund të quhen heroina të popullit, duke marrë për bazë tmerrin që kanë përjetuar gjatë luftës. Nëse ndalemi dhe dëgjojmë me vëmendje rrëfimet të disa prej tyre, dhe krijojmë imazhe të skenarëve të tmerrit, sinqerisht këto femra meritojnë çdo respekt dhe përkujdesje institucionale, qoftë edhe si veterane të luftës në Kosovë.

Edhe dhunimet janë krime kundër njerëzimit

Dhunimet në luftë dhe vende konfiktuoze, janë krime ndaj njerëzimit, këtë e thotë edhe e Drejta Ndërkombëtare, këtë e din edhe gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Po ashtu, dhunimet konsiderohen krime kundër njerëzimit në ato vende ku ka luftë, qoftë në luftëra apo konflikte të karakterit ndërkombëtar apo të brendshëm, dhe si të tilla janë vepra penale, dhe natyrisht, aktorët dhe shtytësit e tyre duhet ndjekur penalisht nga ky organ ndërkombëtar i drejtësisë. Kjo është forma më poshtër që Serbia ka përdorur mbi popullatën civile në Kosovë, si forma më e rënd e krimit kundër njerëzimit, si mjet luftë i planifikuar dhe ideuar nga vet shteti në shkatërrim jugosllav.

Serbia ka pasur disa qëllime për çfarë i ka bërë këto dhunime në Kosovë, një ndër shumë qëllimet është ai politik duke aluduar të poshtëroj moralisht shqiptarët dhe një pjesë të madhe të popullit t’i thyej shpirtërisht.

Institucionet e Kosovës duhet që sa më parë të krijojnë kushte për identifikimin e viktimave të përdhunimeve në Kosovë dhe këto të fundit të garantohen që mbrojtja institucionale ndaj tyre do të jetë e përhershme dhe se nuk do të fyhen nga rrethi e shoqëria, por të trajtohen sikur kategoritë e tjera të luftës, dhe mos të nënçmohen kur flitet për fatkeqësitë dhe tmerret e përjetuara.

Jemi të vetëdijshëm që mungon përvoja e mirëfilltë për trajtimin e kësaj kategorie, por këtë nuk e justifikon ky fakt mospunën dhe neglizhencën institucionale karshi kësaj kategorie.

Për fund

Kjo temë kërkon një përkujdesje shumë më të madhe se sa kaq, por realisht opinioni i gjerë vendor, por edhe ai ndërkombëtar, ka nevojë për një pasqyrë të qartë të pasojave si rezultat i krimeve në Kosovë të kryera nga pushteti i dhunshëm serb. Andaj, krahas personave të vrarë e masakruar, të zhdukurve që ende nuk dihet për fatin e tyre, në theks të veçantë duhet të jetë edhe nevoja për identifikimin e viktima të përdhunimeve, dhe të tentohet që në mënyrë të gjithëmbarshme institucionale të arrihet deri tek një modul i cili përmirëson jetën e tyre, si atë psiko- fizike po ashtu edhe atë ekonomike.