EVN Maqedoni ka njoftuar se i ka sanuar të gjithë defektet në rrjetin shpërndarës në rajonet më të prekura nga vërshimet në rajonin e Shkupit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Me punë intensive të ekipeve të EVN Maqedonisë në terren, në këto rajone të gjitha 110 trafo stacionet të cilat kishin ndërprerje nga moti i lig, janë nën tension dhe pothuajse të gjithë shfrytëzuesit në këtë rajon kanë energji elektrike”, theksojnë nga EVN.
Njëkohësisht theksojnë se te afër njëqind shfrytëzues, me kërkesë të tyre ende nuk është lëshuar energjia elektrike, sepse bodrumet dhe shtëpitë e tyre janë nën ujë dhe tërësisht është shkatërruar instalimi elektrik i brendshëm.
Për këta shfrytëzues edhe më tej vlen apeli që t’i ulin poshtë siguruesit nëse kanë tabela të reja ose t’i heqin siguruesit nëse kanë nga lloji i vjetër i tabelave. Bëjmë thirrje që këto instruksione të respektohen në mënyrë që të evitohen pasojat e padëshiruara sepse nëpër shtëpi ka mure të lagura dhe aparate dhe kabllo elektrike po ashtu të lagura. Që të evitohen fatkeqësitë e çfarëdo lloji, qytetarët të mos ndërmarrin asgjë kokë më vete dhe të jenë në koordinim të plotë me ekipet e EVN Maqedonisë.
“Ekipet e EVN do të mbeten në terren për sanimin e ndërprerjeve të vogla eventuale gjatë furnizimit dhe do të punojnë në zëvendësimin e pajisjes së dëmtuar energjetike. për shkak të informimit të saktë, potencojmë se zëvendësimi i numëruesve në rajonet e goditura dhe sanimi i rrjetit është në barrë të EVN Maqedonisë dhe asnjëri nga shfrytëzuesit e këtyre rajoneve nuk do të paguajnë për këtë shërbim. Si rrjedhojë, i vlerësojmë si të pavërteta dhe tendencioze informatat që u paraqitën në rrjetet sociale në të cilat thuhet e kundërta”, qëndron në kumtesë.
Nga kompania theksojnë se ekipet e tyre edhe gjatë ditëve të ardhshme, me të gjitha kapacitetet në dispozicion do të punojnë në terren në mënyrë që sa më shpejtë të sanohen dëmet dhe të sigurohet furnizim normal me energji elektrike në të gjitha vendet e goditura nga vërshimet./Telegrafi/