Me madhësi diku sa Zvicra e banorë sa Mali i Zi, shteti i “heshtur” në Himalaje - ku mund të shkoni vetëm me aeroplanë - është vendi më i lumtur në botë, njëkohësisht mbretëria e fundit budiste dhe një nga shtetet me rritjen më të madhe të PBB-së.

Fjala është për Butanin, "Vendin e kuçedrës gjëmuese", në Azinë Jugore, të rrethuar nga India e Kina.


Butani ka arritur të ruajnë kulturën nga shekulli XVII, duke shmangur globalizimin e duke izoluar veten. Kështu, deri më 1999 aty nuk kishte as internet e as pajisje televizive. Ndërsa, për ta vizituar këtë vend vlen ende tarifa fikse: 250 dollarë për një ditë, që të kontrollohet numri i turistëve! Shkalla e papunësisë, vitin e kaluar ishte 2.9 për qind, ndërsa shkollimi dhe shëndetësia janë falas, transmeton Telegrafi.

Butan i vetmi vend në botë që ka BLK. Nëse mendoni se kjo është një tjetër seri e koncepteve statistikore që nuk kanë lidhje me jetën, e keni gabim. BLK është shkurtesa për bruto lumturinë kombëtare, që ka filluar të llogaritet qëkur shteti është hapur ndaj botës. Krahas saj maten shëndeti,
mirëqenia psikologjike, shfrytëzimi i kohës, arsimi, diversiteti kulturor, qeverisja e mirë me shtetin, vitalitet i komunitetit, diversiteti ekologjik dhe standardet e jetesës. Qëllimi është që përparimi material dhe shpirtëror të shkojnë paralelisht.

Mund të thuhet se në këtë drejtim janë mjeshtër, pasi vendi është në maje të lumturisë botërore.

Ky vend që nga viti 2007 kishte rritjen më të shpejtë të PBB-së në botë, duke ruajtur të njëjtën kohë edhe identitetin kulturor dhe mjedisin.

Butani është mbretëria e fundit budiste në planet, ndërsa besimi zyrtar është budizmi Vajrayanain së cilës i takojnë dy të tretat e popullsisë. Pjesën tjetër e përbëjnë kryesisht hindusët. Qeveria mbështet budizmin politikisht dhe ekonomikisht, duke ofruar ndihmë për manastire, për tempuj, për murgjit budistë dhe për programe të ndryshme sociale. Priftërinjtë janë shumë të respektuar dhe zëri i tyre në publik është shumë i rëndësishëm. Për shkak të kësaj, Butan është shpesh jotolerant ndaj feve të tjera në vend. Mbase nuk kanë faj, sepse kështu do ta shkatërronin identitetin kulturor të tyre!

Butanin shpesh e quajnë "Zvicra e Azisë" për shkak të madhësisë së saj, formës dhe lokacionit në male. Ky është një vend me male dhe lugina: lartësitë janë të akullta, në kodra ka një klimë subtropikale, ndërsa në lugina moti është i butë. Vozitja në Butan është gjithashtu shumë e vështirë, sepse rrugët janë të pakta dhe të ngushta në male, ndaj shpesh përfshihet lëvizja në një korsi pa rrethoja me humnerë nën rrotat tuaja, transmeton Telegrafi.

Në saje të izolimit të saj të gjatë, Butani ka ekosistem të qëndrueshme dhe pothuajse nuk ka degradim të mjedisit.

Një turist nga Perëndimi dëshmoi për një takim rasti me princin e vendit teksa ka luajtur basketboll me djemtë e origjinës së thjeshtë në kryeqytet: Butan është aq i sigurt sa princi ecë vetëm në rrugë, ndërsa sundimtarët nuk ndihen të ofenduar të përzihen me popullin. Mu për këtë, nuk është çudi që dinastia është e dashur te populli dhe pse ata u treguan të pabindur kur princi i mëparshëm, tani mbret, gjashtë vjet më parë vendosi për ta futur demokracinë.

Në një botë të dominuar nga globalizimi, kombet në zhvillim kanë shumë për të fituar, por edhe për të humbur. Nëse menaxhimi bëhet me mençuri, popujt mund të zhvillohen dhe përmirësojnë jetën materiale të qytetarëve të saj, por mund të humbasin identitetin shpirtëror e kulturor. Prandaj, BLK është një mënyrë e mirë për të udhëhequr zhvillimin, tok me globalizimin. Paraja nuk është gjithçka, për sa nevojat themelore, të tilla si ushqimi, strehimi dhe një punë të qëndrueshme janë kyçe në marrëdhëniet njerëzore të vendit, që nga familja e më gjerë. /Telegrafi/