Versioni kinez i TikTok po prezanton një mënyrë që do të kufizojë sasinë e kohës që fëmijët nën moshën 14 vjeç shpenzojnë në aplikacionin e videove të shkurtra – në vetëm 40 minuta në ditë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, masa do të zbatohet për të gjithë përdoruesit e Douyin nën moshën 14 vjeç të cilët janë regjistruar në aplikacion duke përdorur emrat e tyre të vërtetë, njoftoi ByteDance me bazë në Pekin në një deklaratë të shtunën.
Douyin gjithashtu nuk do të jetë i disponueshëm për ata përdorues midis orës 10:00 në mbrëmje dhe 6 të mëngjesit, shtoi pronari i TikTok dhe Douyin.
Kompania gjithashtu u bëri thirrje prindërve të ndihmojnë fëmijët e tyre të regjistrohen me emra të vërtetë, ose përndryshe të aktivizojnë manualisht “modalitetin adoleshent”.
ByteDance nuk iu përgjigj menjëherë një pyetjeje nga CNN Business se si mund të zbatojë politikën për ata që nuk përdorin emrat e tyre të vërtetë.
Aplikacioni tha gjithashtu se do të prezantonte përmbajtje të re – duke filluar nga eksperimentet shkencore dhe muzetë deri tek ekspozita e galerisë së artit dhe peizazhet natyrore – për të “frymëzuar” adoleshentët e rinj.
Kufizimi i përdorimit të Douyin është një “masë proaktive” nga ByteDance për të dalë përpara rregullimit të mundshëm, shkruan analistët në Citigroup Global Markets në një shënim kërkimor të së hënës.
Ata sugjeruan që vendimi mund të shtyjë platformat e tjera të internetit me përmbajtje të shkurtër video për të parë zbatimin e kufizimeve të ngjashme. /Telegrafi/