LAJMI I FUNDIT:

Versioni i Shqipërisë

Versioni i Shqipërisë

Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë po e quan të ngutshëm vendimin e Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinës për t’i hequr nga tregu disa produkte të qumështit me origjinë shqiptare. Madje, atje dyshojnë në kapacitetet e AVUK’ut për të bërë analiza për aflatoksinë dhe dyshojnë që kjo mund të ketë qenë edhe e qëllimshme.

Produktet e qumështit me origjinë shqiptare, për të cilat Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës urdhëroi heqjen e tyre nga tregu, në Shqipëri konsumohen pa problem. Atje ende po i presin analizat nga autoritetet përgjegjëse për të parë se a ka vërtet aflatoksinë në këto produkte.

Madje, institucionet përgjegjëse dhe mediat po e quajnë të ngutshëm këtë vendim të AVUK-ut.

Siç shkruan “Shqip”, qytetarët shqiptarë gjenden në dilemën se cilën markë qumështi duhet të konsumojnë, sa kohë autoritetet vendase nuk kanë dhënë një deklaratë konkrete për përmbajtjen e kutive të qumështit me origjinë shqiptare të bllokuar në Kosovë, pas dyshimeve për alfatoksinë. Qumështi i “damkosur” si i dyshuar me lëndë toksike konsumohet masivisht, jo vetëm nga të rriturit, por edhe nga fëmijët e vegjël, prindërit e të cilëve janë alarmuar pas lajmit të dhënë në media.

Ditën e shtunë, autoritetet e kontrollit të ushqimit në Kosovë vunë alarmin për disa marka, të cilat tregtojnë qumësht kutie të dyshuara për përmbajte lëndësh toksike me origjinë shqiptare që nuk duhen konsumuar. Menjëherë pas publikimit të lajmit në mediat kosovare, Ministria e Bujqësisë shqiptare deklaroi se do të analizohen produktet e dyshuara me origjinë shqiptare. Por, pavarësisht kësaj, analizat e produkteve janë futur në laboratorë rreth mesditës së djeshme.

Janë 13 analiza të produkteve të dyshuara me përmbajtje alfatoksinë, helm toksik për të cilat ekspertët dhe laboratorët kërkojnë afate të përcaktuara, për të nxjerrë rezultate të sakta. Përveç kësaj, ekspertët e AKU-së kanë dalë në punë në fundjavë, duke ndarë punën dhe duke bërë gati të gjithë bazën materiale të nevojshme për ekzaminime, shkruan Express.

Ata kanë dalë në terren për të mbledhur kampionë analizash të produkteve të qumështit që prodhohet në vend, për të cilat autoritetet kosovare kanë urdhëruar ndalimin e tregtimit dhe konsumit, të paktën deri në sqarim të situatës dhe daljen e rezultateve të analizave më specifike.

Shqipëria nuk ka dhënë asnjë urdhër për ndalim konsumi të produkteve të dyshuara deri në daljen e analizave zyrtare në laboratorin e Institutit të Kërkimeve Veterinare. /Telegrafi/