Ligjet e natyrës e bëjnë harmoninë e veprimeve në univers. Kjo harmoni e siguron fenomenin e veprimit; njëkohësisht e ruan formën. Fizikani i njohur Isak Njutni, e ka dhënë një definicion për forcën e veprimit dhe kundërveprimit: “Forcës së veprimit i kundërvihet forca e kundërveprimit. Që të ruhet ekuilibri këto forca duhet të jenë reciproke (të njëjta)”.
Konsideroj që këto shpjegime na ndihmojnë t’i kuptojmë drejt edhe fenomenet shoqërore e politike. Veprimet dhe kundërveprimet në momente të caktuara. Ne shqiptarët, në përgjithësi, në të gjitha trojet ku jetojmë, po vonohemi në veprime, ndërkohë që të tjerët po veprojnë shpejt dhe fort. Si të lodhur që jemi nga e kaluara e rëndë, shpesh nuk po e vërejmë me kohë e në masë të duhur këtë forcë të veprimit e cila po ushtrohet mbi ne. Si të tillë, nuk po e bëjmë as kundërveprimin.
Në shekullin e ri gjatë gjithë kësaj dekade u krijuan deri diku rrethanat për veprime të koordinuara të shqiptarëve në trojet etnike. Kishte dhe ka nevojë për veprime të shumta dhe të shumanshme, gati në të gjitha fushat e jetës. Ndërkohë që nuk u bënë as ato elementaret. Atë ditë e sot, fëmijët tanë, në pesë regjione, mësojnë në pesë lloj abetaresh.
Kufiri me shtetin amë në dukje të parë jep përshtypjen e një kufiri të hapur. Në të vërtetë aty kërkohen dokumente udhëtimi, paguhen doganat me të gjitha llojet e akcizave, dhe atë për mallra të konsumit të përditshëm. Jo që nuk është bërë, po as që është tentuar të bisedohet për një treg unik, minimum, një zonë të lirë doganore, së paku për prodhimet vendore, në të dy anët e kufirit.
Planprogramet shkollore nuk janë fare të harmonizuara. Ekziston një bashkëpunim i zbehtë universitar, pa ndonjë rezultat konkret, ku edhe më tutje Ministria e Arsimit në Prishtinë bën nostrifikim të diplomave që vijnë nga universiteti i Tiranës!
Edhe në kulturë ka shumë pak evenimente të përbashkëta.
Në fushën e informacionit nuk është gjendja ma e mirë. Më së miri ilustron fakti se si në Kosovë e në Maqedoni nuk shpërndahet asnjë gazetë nga shtypi ditor e periodik nga Shqipëria. Hapësira mediatike është hapur vetëm përmes teknologjisë elektronike. Televizionet komerciale digjitale dhe interneti tanimë kanë përfshirë gjithë botën! Ato nuk mund të ndalen.
Kam përshtypjen se kastat politike shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, rregullisht po shërbehen me nga një shtyllë të veprimit politik. Këto shtylla nuk janë platformë e vërtetë politike e këtyre politikanëve, por kjo po iu shërben për të justifikuar para popullit çdo veprim politik që ata bëjnë.
Në Shqipëri (mos)veprimet politike e të tjerat i arsyetojnë me “frymën e integrimeve evropiane”.
Në Kosovë arsyetohen me Pakon e Ahtisarit.
Në Maqedoni thirren në dokumentin e marrëveshjes së Ohrit.
Këta të fundit kanë kaluar në roje kujdestare të ruajtjes së shtetësisë së Maqedonisë, në kohën kur vetë maqedonasit për ditë po japin prova se nuk janë të interesuar për shtetin e përbashkët me shqiptarët.
Cilat janë kundërveprimet ose veprimet reciproke?
Asnjë!
Sa më shumë po torturohet, sa ma shumë po shpërngulet me presion institucional popullata shqiptare nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, aq më shumë po shtohet i ashtuquajturi “diskriminim pozitiv” institucional i pakicës serbe në Kosovë. Kur ata formojnë organe paralele edhe në Kosovën qendrore, ministri për integrim i shoqëruar me ndonjë ndërkombëtar merr pjesë në promovimin e zyrave të tyre.
Kur ndalohet hyrja si dhe qarkullimi transit i mallrave tona në Serbi, duke i thyer edhe marrëveshjet ndërkombëtare – ne hapim rrugë për mallrat serbe.
Pa dashje shtrohet pyetja: kujt i shkon për shtati kjo gjendje?
Jam i sigurt se popullit jo!
Edhe populli duhet të fillojë të mendojë e të veprojë politikisht. Të hulumtojë njerëz e organizata që do t’i mbrojnë interesat politike, ekonomike e kombëtare për të gjithë shqiptarët. Pra, politikanë që dinë të veprojnë e të kundërveprojnë, sepse kështu ruhet ekuilibri.