Banorët e Ratkocit të Rahovecit, vendlindja e kandidatit për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, i kanë organizuar atij të premten në mbrëmje një pritje madhështore.
Qindra banorë të fshatit Ratkoc, të pajisur me flamuj dhe slogane të fitores e kanë pritur bashkëvendësin e tyre, Avdullah Hoti, që tani është kandidati kryesor për ta drejtuar qeverinë e ardhshme.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka thënë se gjatë përvojës së bashkëpunimit me Avdullah Hotin ka kuptuar çdo ditë, që ka pasur të bëjë me një njeri jashtëzakonisht të ndershëm, me një njeri të fjalës dhe të punës.
Ai ka thënë se Hoti ka udhëhequr ministrinë kryesore gjatë qeverisë së kaluar, punë të cilën e ka bërë në mënyrën më të mirë. Shala ka thënë se pikërisht sjelljet e Hotit janë veti rugoviane dhe për këtë ai sot është i kandiduari për kryeministër të ardhshëm.
Presidenti i AKR së Behxhet Pacolli duke iu drejtuar banorëve të Ratkocit ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti do të ia japë goditjen e fundit hajnave dhe atyre që e zhvatën Kosovën.
Hoti i ka falënderuar bashkëvendësit e tij për përkrahjen e fuqishme që i kanë dhënë në fushatën zgjedhore.
“Këto ditë kanë qenë ditët më të veçanta të jetës time dhe jam shumë i emocionuar të mbyllë ditën në Ratkoc. Dua ta falënderoj Presidenti e AKR-së, Behgjet Pacollin dhe shumë kolegë të mi që ka gjetur kohë të jenë sot këtu në vendlindjen time”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se jemi bërë bashkë sikur në kohën e Rugovës për të bërë ndryshimin më të madh në Kosovë.
“Ajo që e bënë atë të lumtur është lista prej 110 personave me etikë të lartë profesionale”, ka thënë Hoti.