Gjysmë vëllai i larguar i Meghan Markle, ka mbërritur në Australi dhe së shpejti do të bashkohet me kastin e spektaklit Big Brother VIP.
Thomas Markle Jr. u pa nga stafi në Aeroportin e Sydneyt të enjten përpara se të futej në karantinë, ku ai do të qëndrojë për 14 ditë, shkruan DailyMail.
Ardhja e tij në vend vjen vetëm disa ditë pasi një tjetër konkurrente e Big Brother, Katie Hopkins, u dëbua për shkak të thyerjes së rregullave të karantinës.
Një zëdhënës i Channel Seven i tha Daily Mail Australia: “Ne nuk jemi duke komentuar spekulime në lidhje me kastin e Big Brother VIP”.
“Të gjitha do të zbulohen së shpejti dhe Big Brother mezi pret të takojë banorët e rinj”.
Është e paqartë nëse Markle Jr, gjysmë-vëllai më i vjetër nga babai i dukeshës së Sussex-it, po zëvendëson komentatoren e famshme Hopkins, e cila u dërgua të hënën në Mbretërinë e Bashkuar.
Hopkins, 46 vjeçe, kishte shkaktuar një protestë kombëtare kur ajo u mburr në Instagram se u përpoq të shkelte rregullat e karantinës duke hapur derën e saj të hotelit pa doreza dhe duke mos bartuar maskë kur bisedonte me stafin e hotelin.
Yllit të famshëm, të njohur për pikëpamjet e saj ekstreme mbi imigracionin dhe COVID-19, iu hoq viza të dielën dhe u vendos në një fluturim për në Britani të nesërmen në mëngjes.
Garues të tjerë të njohur që marrin pjesë në Big Brother VIP përfshijnë Caitlyn Jenner, e cila fluturoi nga Los Angeles javën e kaluar dhe është në karantinën e hotelit.
Jenner, 71 vjeçe, e cila po kandidon për Guvernatore të Kalifornisë, thuhet se do të marrë 500,000 dollarë shpërblim për paraqitjen e saj në shfaqje.
Paga e Markle Jr është e panjohur.
Ndërkohë, Markle Jr ka të ngjarë të ketë marrë një vizë ‘aftësish kritike’ në mënyrë që t’i lejohet hyrja në Australi gjatë pandemisë COVID-19, ndërsa mijëra qytetarë të diasporës së Australisë mbeten të bllokuar jashtë shtetit dhe të paaftë që të kthehen në shtëpi.
Kjo vizë jepet kur ka një përfitim të dukshëm ekonomik duke lejuar personin të hyjë në vend.
“Është e rëndësishme të theksohet se Channel Seven siguron që mbërritja e artistëve ndërkombëtarë në Australi nuk ndikon ose nuk pengon australianët që të kthehen në shtëpi nga jashtë”, tha një zëdhënës i Seven.
“Çdo artist ndërkombëtar i lidhur me Channel Seven është në marrëveshje që ekzistojnë jashtë kufirit të fluturimit në mbërritjet ndërkombëtare dhe u është dhënë përjashtim nga qeveria për të ardhur këtu. Të gjithë artistët tanë gjithashtu ndërmarrin masa karantine në përputhje me legjislacionin qeveritar”, tha tutje zëdhënësi.
“Ngjashëm me ardhjen e aktorëve ndërkombëtarë të klasit botëror që forcojnë industrinë e filmit në Australi aktualisht, këta artistë po kontribuojnë në krijimin e prodhimeve kryesore televizive, duke krijuar vende pune për shumë njerëz në një kohë të vështirë për sektorët krijues dhe të prodhimit”, shtoi ai.
Xhirimet e Big Brother VIP do të fillojnë në një kompleks të ndërtuar në Sydney Olympic Park në muajt e ardhshëm.
Programi do të transmetohet në Channel Seven më vonë gjatë këtij viti.
Markle Jr. nuk ka një marrëdhënie me motrën e tij të famshme të vogël, e cila është e martuar me Princin Harry, Duka i Sussex-it.
Ai nuk ishte i ftuar në dasmën e çiftit në maj të vitit 2018 dhe në atë kohë nuk e kishte parë aktoren e “Suits” për rreth shtatë vjet.
Ai e ka kritikuar gjysmë motrën e tij në shtyp, duke e përshkruar atë si një ‘grua të rremë’ dhe një ‘grua të lodhur, të cekët, të mburrur’. /Telegrafi/