Një ushtar rus 21 vjeçar, ka pranuar fajësinë për vrasjen e një civili ukrainas 62 vjeçar në Ukrainën verilindore, në gjyqin e parë për krime lufte të konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Një gjykatë nga distrikti i Kiev-it, filloj të mërkurën seancat e para dëgjimore për krimet e luftës ndaj Vadim Shishimarin, i cili ishte pjesë e forcave pushtuese ruse që u futën në Ukrainë me 24 shkurt – dhe ky rast thuhet se ka një vlerë të madhe simbolike për Ukrainën.

Komandanti tankist rus 21 vjeçar, i cili u ndalua në Ukrainë, po përballet me akuzat për vrasjen e një civili ukrainas 62 vjeçar me datë 28 shkurt, vetëm 4 ditë pas fillimit të luftës, në fshatin Chupakhivka në verilindje të Ukrainës, transmeton Telegrafi.

Ai e pranoj fajësinë para gjykatës, dhe në qoftë se dënohet atëherë do të përballet me dënim të përjetshëm. Prokurorët ukrainas thanë se Shishimarin dhe katër ushtarë tjerë rus, gjuajtën në drejtim të veturës ku ndodhej civili 62 vjeçar, dhe tentuan ta vidhnin veturën e tij në mënyrë që ata të largohen nga vendi ngjarjes, pasi që autokolona e tyre ishte nën shënjestrën e forcave Ukrainase.

Ata thanë se Shishimarin u urdhërua nga një ushtar tjetër që ta vriste civilin në mënyrë që ai mos të zbulonte pozicionin e tyre tek forcat Ukrainase, dhe ai shtiu disa herë në drejtim të tij duke e qëlluar në kokë disa herë dhe duke e vrarë atë në vend.

Ukraina po gjykon ushtarin e parë rus për krime lufte - ai thotë se u detyrua të vriste të moshuarin ukrainas Ukraina po gjykon ushtarin e parë rus për krime lufte - ai thotë se u detyrua të vriste të moshuarin ukrainas

Qeveria Ukrainase ka akuzuar Rusinë për mizori dhe brutalitet ndaj civilëve gjatë pushtimit dhe thanë se deri më tani kanë zbuluar mbi 10,000 dëshmi për krime lufte. Rusia ka mohuar akuzat për shënjestrimin dhe vrasjen e civilëve, dhe gjithashtu ka mohuar edhe akuzat për krime lufte, duke thënë se Ukrania po i inskenon këto krime për ta fajësuar Rusinë. /Telegrafi/