Ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli sot feston ditëlindjen e tij të 54-të. Veseli që nga nëntori i vitit të kaluar po mbahet në paraburgim në Gjykatën e Hagës si i akuzuar për krime të luftës.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka uruar Veselin me rastin e ditëlindjes.
Hoxhaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se sot, në Hagë, Kadriu me shokë po ia bëjnë edhe një argat Kosovës sepse ai nuk di ndryshe.
“Për Kosovën, dhimbjen e tij të fëmijërisë, ëndrrën e tij të adoleshencës e idealin e tij prej burri, Kadriu nuk ka njohur as frikën e as mortin. Këtë histori, askush dhe asnjëherë nuk do të mund ta rishkruaj. Prandaj, në sfidat dhe rrugën e gjatë që e pret Kosovën përpara, heroi ynë i luftës dhe paqes e ka vendin në Atdhe, ku të gjithë po e presim krahëhapur e me zemrën plotë. Luftën për liri e bëjnë vetëm çlirimtarët zemërbardhë e ata nuk e kanë vendin në bankën e të akuzuarve por të lirë në mesin e njerëzve të vet.”, ka shkruar Hoxhaj.
Postimi i plotë:
Edhe 100, kryetar Kadri Veseli!
Në periudha të rëndësishme historike, disa persona i zgjedh fati, e disa të tjerë e zgjedhin vetë fatin e tyre. Kadri Veseli është prej këtyre të dytëve. Qysh në vitet 90-ta, kur kishte kapërcyer murin e shtëpisë për të takuar fshehurazi prindërit e tij, Kadriu e kishte ndarë mendjen e zemrën se të gjitha pranverat tjera do t’ia kushtoj Kosovës.
Tani, thuajse 30 vite më vonë, nuk ka ditë e zhvillim në Kosovën e lirë dhe të pavarur që nuk mbanë firmën e Kadriut. Në aktivitet e organizim të UÇK-së, në luftë e udhëheqje të saj drejt çlirimit, në liri e angazhim për pavarësi, në forcim e siguri të shtetit të Kosovës, Kadriu dha gjithçka nga vetja. Edhe sot, në Hagë, Kadriu me shokë po ia bëjnë edhe një argat Kosovës sepse ai nuk di ndryshe. Për Kosovën, dhimbjen e tij të fëmijërisë, ëndrrën e tij të adoleshencës e idealin e tij prej burri, Kadriu nuk ka njohur as frikën e as mortin.
Këtë histori, askush dhe asnjëherë nuk do të mund ta rishkruaj. Prandaj, në sfidat dhe rrugën e gjatë që e pret Kosovën përpara, heroi ynë i luftës dhe paqes e ka vendin në Atdhe, ku të gjithë po e presim krahëhapur e me zemrën plotë. Luftën për liri e bëjnë vetëm çlirimtarët zemërbardhë e ata nuk e kanë vendin në bankën e të akuzuarve por të lirë në mesin e njerëzve të vet.
Deri në ditën e pashmangshme të lirisë – edhe 100, kryetar Kadri Veseli. /Telegrafi/