LAJMI I FUNDIT:

UNDP: Pandemia COVID-19 pati ndikim negativ në mirëqenien ekonomike – papunësia dhe varfëria, problemet themelore me të cilat përballet Kosova

UNDP: Pandemia COVID-19 pati ndikim negativ në mirëqenien ekonomike – papunësia dhe varfëria, problemet themelore me të cilat përballet Kosova

Pandemia COVID-19 ka pasur ndikim në mirëqenien ekonomike dhe se varfëria dhe papunësia janë problemet themelore me të cilat përballet aktualisht Kosova, kështu thuhet në anketën “Pulsi Publik XIX“, të realizuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Raporti i UNDP-së thekson se, një përqindje e madhe e qytetarëve vazhdojnë të identifikojnë këto si probleme kryesore.

“Çështjet kryesore madhore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia me 30.9 për qind, varfëria me 20.6 për qind dhe problemet e hapësirës urbane me 6.7 për qind. Në ndërkohë, korrupsioni ka rënë në renditje nga vendi i dytë në të pestin në renditjen e shqetësimeve madhore, nga 23.5 për qind në prill 2020 në 5.1 për qind aktualisht. Pavarësisht nga rënia në pozitën e pestë, mesatarisht, 28 për qind e të anketuarve pohojnë se perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike në Kosovë”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, gjetjet e këtij raporti thonë se dy në tre qytetarë nuk janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës.

Perceptimet për problemet madhore me të cilat aktualisht përballet Kosova | Burimi: UNDP

“Vetëm 6.9 për qind të anketuarve janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës. Ndërkohë që 64.3 për qind e të anketuarve janë shumë të pakënaqur ose të pakënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës”, vijon raporti.

Të dhënat e UNDP-së thonë se, rreth 80 për qind e qytetarëve nuk besojnë se punësimi në sektor publik bëhet në baza meritore.

“Gjithsej 78.1 për qind e të anketuarve konsiderojnë se punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore”, tregon UNDP.

Sipas raportit, rreth 70 për qind e qytetarëve thonë se pandemia COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike.

Kënaqshmëria me drejtimin ekonomik të Kosovës | Burimi: UNDP

“68.7 për qind (65.9 për qind, prill 2020) e të anketuarve deklaruan se pandemia COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike, kurse 46.9 për qind (40.7 për qind, prill 2020) deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik dhe 52.8 për qind (59 për qind, prill 2020) deklaruan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor”, përfundon raporti.

Kjo anketë e UNDP-së është realizuar prej datës 25 nëntor deri më 8 dhjetor 2020, përmes intervistave ballë për ballë me 1,306 qytetarë të Kosovës dhe ofron një përmbledhje të perceptimeve të tyre në lidhje me proceset demokratike, kushtet socio-ekonomike, sigurinë, mjedisin, dhe pandeminë COVID-19. /Telegrafi/