Site icon Telegrafi

Ultimatumi 2!

 Me “kërkesë të prerë dhe të padiskutueshme, mospranimi i së cilës sjell pasoja të rënda”, shpjegohet fjala ultimatum! Është ky kuptimi “2” i kësaj fjale, shpjeguar në fjalorin e fjalëve të huaja, të grupit të autorëve, botuar në Prishtinë më 1988, f.634. Kuptimi “1” është “notë diplomatike, që i dërgon një shtet një shteti tjetër, me kërkesa a kushte të prera, mospranimi i të cilave mund të sjellë prishjen e një marrëveshjeje, prerjen e marrëdhënieve diplomatike, përdorimin e dhunës a shpalljen e luftës” (po aty.). Sipas fjalorit, ky është shpjegimi i kësaj fjale me origjinë latine (lat. ultimatum).

Janë apo jo kërkesa ultimative, kërkesat e VV-së ndaj Qeverisë e shtetit? Cili është karakteri politik i tyre? Ç’rrënjë ka ky lloj ultimatumi? Cilat janë përfitimet dhe dështimet politike të një ultimatumi?

Partia politike është pjesë e zhvillimit të demokracisë dhe demokracia nuk zhvillohet me ultimatume partiake. Ajo zhvillohet me kritere të tjera nga kërkesat e prera dhe të padiskutueshme. Kërkesat e tilla, të prera e të padiskutueshme, janë shmangie, largim nga dialogu politik i një partie a i opozitës ndaj Qeverisë. Nuk ka përfitime politike në bazë të kërkesave me karakter ultimatumi. Kërkesat nuk mbeten më kërkesa për realizim demokratik; ato bëhen të prera dhe me karakter antidemokratik, kësisoj antishtetërore, të dhunshme në esencë dhe për rrëzimin e demokracisë. Veprimet politike brenda një ultimatumi nuk janë më veprime demokratike – janë e kundërta e tyre dhe me pasoja të mundshme.

Madje, ultimatumet zbehin demokracinë edhe për një arsye: subjekti politik, bartës i tyre, i ultimatumeve, humb besimin edhe të elektoratit të tij më të besuar, sidomos të atij votuesi që me vetëdije i bashkohet atij subjekti ose ka votuar për të, me qëllim të përparimit të proceseve demokratike për vendin e tij, po jo me ultimatume. Bazuar në domethënien e kësaj fjale, ka kaluar koha dhe kuptimi i saj është vjetruar, ashtu siç janë vjetruar metodat ultimative për ndryshime gjendjesh a sistemesh.

Kosova dhe qytetarët e saj, për një kohë të gjatë kanë “bashkëjetuar” me ultimatume të përditshme ndaj tyre, që nga shpërnguljet e para, nga kolonizatorët, aksionet e armëve dhe shpërnguljet për të satën herë, vrasjet e burgosjet politike e deri te përpjekja për deportimin masovik dhe shfarosjet në luftën e fundit. Rrjedhimisht, është edhe një aspekt jashtëzakonisht i rëndësishëm se pse qytetari ynë është alergjik edhe nga aspekti historik e psikologjik nuk i duron ultimatumet! Kjo është e patjetërsueshme: Qytetari i Republikës së Kosovës është ngopur me të gjitha zhvillimet e tjera, po jo me zhvillimin sistemor të vendit e të demokracisë.

Debati i mundshëm në Kuvendin e Republikës nuk duhet të bartet e të zhvillohet në protestë, në rrugë. Përkundrazi, debati në Kuvend përbën bazën e çuarjes përpara të proceseve të luftës kundër korrupsionit, për zhvillimin ekonomik dhe kundër papunësisë, kundër shkelësve të ligjit. Debati në Kuvend rrit prestigjin e secilit deputet, të secilit përfaqësim, rrit imazhin e shtetit, të sistemit, të agjencive e të Qeverisë dhe mbi të gjitha e bën të kuptueshëm artikulimin e kërkesave të pozitës e të opozitës. E kundërta, edhe kur kërkesat janë brenda debatit, bën që ato të dalin jashtë tij, të dalin kërkesa proteste e të rrugës, të prera e të padiskutueshme dhe ultimative: ultimatumi gjen shprehjen vetëm brenda një shpjegimi që çon në përpjekjen për rrënimin e të arriturave të demokracisë.

Shteti nuk lejon që dikush ta rrënojë atë. Shteti nuk duhet të lejojë asnjëherë të bjerë pre e asnjë kërkese të prerë e ultimative. Ultimatumet çojnë në beteja të reja politike, të dhunës e të rrënimit të demokracisë.

Mbijetesën politike të një subjekti politik si VV, sot, as nuk e mban gjallë as nuk e rrit protesta në rrugë, aq më pak ultimatumet, kërcënimet. Kërcënimet ndaj demokracisë janë irrituese edhe kur e kanë një pikë arsye. Demokracia duhet të zhvillohet e jo të kërcënohet. Kërcënimet janë të tilla përherë, irrituese, kur brenda një proteste demokratike fshihen kërkesa “të padiskutueshme”, kur brenda një proteste demokratike fshihen ultimatume me kërkesa “të prera”. Edhe për militantët partiakë më të besueshëm ato bëhen të pabesueshme, bëhen ashtu siç janë në esencë, kërkesa politike, që mund të realizohen në rrugë demokratike, por jo me ultimatume.

Nuk po e shtrojmë asnjëherë çështjen se janë apo nuk janë kërkesa të drejta a të padrejta, të bazuara a të pabazuara, të realizueshme a të parealizueshme. Është çështje tjetër kjo. Në kushtet tona të zhvillimit shoqëror, janë esenciale mjetet me të cilat realizohen kërkesat e një grupi politik, të një partie, të një subjekti a të një opozite. Mjetet për realizim duhet ta arsyetojnë qëllimin dhe e kundërta. Ndryshe, ngatërrohen parimet e zhvillimit të demokracisë, të sistemit e të shtetit. Këta të fundit, shteti dhe rendi kushtetues, nuk varen nga mbijetesa politike e një partie, por nga demokracia e zhvilluar nga të gjitha partitë.

Rruga e zhvillimit të demokracisë është e gjatë. Është filluar moti për të qenë e vazhduar përherë. Pikënisje është liria. Liria e demokracia kanë kufij të përbashkët. Shpeshherë këta kufij shkrihen në njëri-tjetrin. Vetëm liria e plotë mundëson zhvillimin e demokracisë, bashkëjetojnë e herë-herë mbijetojnë. Liri të mirëfilltë, pa demokraci të mirëfilltë, nuk ka. Vetëm zhvillimi i demokracisë i jep kuptim lirisë.

Sot janë institucionet e Republikës së Kosovës që e përparojnë sistemin, në të gjithë resorët e zhvillimit. Siç dihet, këta resorë udhëhiqen nga politika e administrata. Politika udhëheq me votë demokratike, ndërsa administrata me profesionalizëm. Investimet më të nevojshme e të vazhdueshme duhet të bëhen me balancimin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes, të kërkesave administrative dhe ofertave politike. Pa një harmonizim veprimesh ekzekutive me bazë legjislative, nuk ka zhvillim të mirëfilltë të luftës kundër korrupsionit, të zhvillimit ekonomik dhe të gjenerimit të vendeve të reja të punës, të zbatimit të ligjit e të normave të demokracisë.

Themeli i të gjithë këtij zhvillimi është besimi i marrë nga vota e lirë e qytetarëve.

Exit mobile version