Ukraina po përgatitej të hënën për një shtytje të re ruse në rajonin lindor të Donbasit, pasi Kievi tha se kundërsulmi i ushtrisë së saj rreth Kharkivit kishte marrë vrull.

Që nga dështimi për të marrë kryeqytetin në fillim të agresionit në fund të shkurtit, kontrolli i Donbasit është bërë një nga objektivat kryesore të Moskës – por inteligjenca perëndimore ka parashikuar se fushata e saj do të ngecë mes humbjeve të mëdha dhe rezistencës së ashpër.

“Ne po përgatitemi për përpjekje të reja të Rusisë për të sulmuar në Donbas, për të intensifikuar disi lëvizjen e saj në jug të Ukrainës”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës.

“Okupatorët ende nuk duan të pranojnë se janë në një qorrsokak dhe i ashtuquajturi ‘operacion special’ i tyre tashmë ka falimentuar”, shtoi ai.

Ndërsa këshilltari presidencial Oleksiy Arestovich tha për televizionin lokal se trupat ruse po transferoheshin në drejtim të Donbasit pas tërheqjes nga Kharkiv, pas kundërofensive ukrainase.

Forcat bjelloruse vendosen përgjatë kufirit me Ukrainën Forcat bjelloruse vendosen përgjatë kufirit me Ukrainën

Trupat e Kievit kanë bërë aq shumë përparim në rajonin verior saqë pothuajse kanë arritur në kufirin me Rusinë, sipas këshilltarit të ministrisë së brendshme Vadim Denisenko, megjithëse sirenat e sulmit ajror ranë në qytetin Kharkiv herët të hënën.

Arestovich tha se forcat ruse që tërhiqeshin po dërgoheshin drejt Luganskut.

“Detyra e tyre është të marrin Severodonetsk”, tha ai. “Epo, diçka nuk po funksionon për ta”.

Severodonetsk është qyteti më lindor që ende mbahet nga Ukraina dhe rënia e tij do t’i jepte Kremlinit de facto kontrollin e Luganskut, një nga dy rajonet – së bashku me Donetsk – që përbëjnë Donbasin.

Por përpjekja e Rusisë për të kaluar një lumë për ta rrethuar atë ishte zmbrapsur me humbje të mëdha pajisjesh, sipas guvernatorit të Lugansk, Sergiy Gaiday.

Nga ana e saj, ministria ruse e mbrojtjes pretendoi se kishte goditur katër depo municionesh artilerie në Donetsk-un fqinj. /Telegrafi/