Gjatë ditës së sotme (e enjte) është raportuar se artistja e njohur, Fjolla Morina, është dënuar me gjashtë vite burg.
Ajo u arrestua më 19 shtator në pikën kufitare të Morinës me dy armë me vete. Së bashku me të ishin partneri, Fisnik Syla dhe shoferi.
Më 20 janar ajo u arratis, ndërsa gjykata e Kukësit vendosi që hetimet ndaj këngëtares të vijonin në arrest shtëpie.
Gjatë kësaj periudhe të arratisjes, Fjolla nuk është ndalur duke punuar në biznese, përfshirë edhe udhëtimet jashtë vendit.
Këngëtarja jo vetëm që pati një biznes të saj, por në mars të vitit 2020 ajo udhëtoi për në Turqi, nga edhe solli imazhe atraktive në Instagram.
Menjëherë pas këtij pushimi ndonëse të shkurtër, destinacion i radhës për të dhe partnerin ishte Dubai.
Aty Morina pati rastin të takojë aktorin e famshëm hollivudian, Steven Seagal. Bujë të madhe bëri teksa bukuroshja theksoi se i tha “Zdravo (përshëndetje nga gjuha serbo-kroate-sllovene)”, teksa më pas ai e ka pyetur në anglisht se prej nga ka prejardhjen – pyetje së cilës këngëtarja i është përgjigjur duke thënë “nga Shqipëria”.
Dikush mund të ketë menduar se pushimet ishin me kaq për të, por nuk kanë përfunduar me kaq.
Befasia më e madhe që ajo mori ishte udhëtimi në ishujt Maldive, ku edhe kurorëzoi dashurinë e saj me martesë.
Biznesmeni Fisnik Syla kishte zgjedhur datën e 18 marsit, për t’i propozuar martesë këngëtares, me të cilën është në lidhje prej kohësh.
Ka qenë vet Morina, ajo e cila ka publikuar disa fotografi dhe video nga momenti i propozimit, i cili duket të ketë ndodhur para një peizazhi bregdetar.
Ndërkohë, menjëherë pas kthimit në Kosovë, dyshja u panë duke shijuar një mbrëmje muzikore nën tingujt e muzikës së Robert Berishës. /Telegrafi/