Miftar Ukshini është një ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në zonën Operative të Dukagjinit, i cili ka vendosur ta lëshuar Kosovën.
Ukshini, në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, ka thënë se nuk e ka pritur që 20 vite pas luftës jetesa në Kosovë do të jetë kaq e vështirë.
Ukshini që ishte veshur si ushtar i UÇK-së në moshën 17 vjeçare, thotë se tashmë ka marrë një vendim për t’u larguar nga Kosova bashkë me familje.
“Shumë shpejt edhe unë do ta lëshojë Kosovën bashkë me familje për një jetë më të mirë të fëmijëve tonë. Për mua është shumë zhgënjyese që po largohem. Por në Kosovë po merren vetëm me numrin e veteranëve, me asnjë çështje tjetër”.
Ai thotë se prej luftës deri tani asnjë qeveri pos Ramush Haradinajt nuk ka bërë asgjë për fshatin Lybeniq dhe banorët e këtij vendi.
“Kam familjar në Amerikë dhe tashmë vendimi është i prerë, do të shkojë atje dhe në Kosovë do të kthehem vetëm për pushime”.
Miftar Ukshini është njëri nga personat që kishte mbijetuar nga masakra e Lybeniqit, duke ikur nga duart e forcave serbe./Telegrafi/