Përfaqësuesit e bizneseve vendore, sipërmarrësit dhe investitorët nga diaspora dhe ata vendorë, u mblodhën në Innovation Centre Kosova (ICK) për të diskutuar rëndësinë e Forumit Ekonomik të Diasporës (DEF), një ngjarje e rëndësishme që do të mbahet në prill të vitit 2026 në qytetin e Bernit në Zvicër.
Kristian Kabashi, nga Numarics i cili mori pjesë në këtë takim informues, në një prononcim për Telegrafin shprehu mendimin e tij për rëndësinë e këtij forumi.
“Është goxha vonë që po e bëjnë këtë forum sepse qysh e thanë ata vetë 15 mijë kompani në Zvicër edhe mos me pasë ne ndonjë forum për njëri-tjetrën, që të bashkohemi e të bëjmë biznes njëri me tjetrin, normal që ne s’kishim pasë nevojë bashkëpunua hiç me zviceranët në qoftë se shqiptarët kishin punuar njëri me tjetrin”, tha Kabashi.
Nga ana tjetër, Fisnik Salihu, përfaqësues i DEF, për Telegrafin ka dhënë detaje mbi ngjarjen që do të mbahet në Zvicër.
Ai njoftoi se eventi dy ditor do të zhvillohet në datat 16 dhe 17 prill të vitit 2026 në Bern të Zvicrës.
Salihu theksoi se, edhe pse kjo ngjarje mund të mos duket si një ngjarje e përkryer në fillim, ajo është pjesë e një historie të gjatë dhe të rëndësishme për diasporën shqiptare.
“Kjo ngjarje ndoshta nuk vërehet si një ngjarje perfekte, por kjo është krejt një pjesë e historisë afatgjate. Vetë DEF-i jam shumë i sigurt që do të evoluojë dhe do të përmirësohet se në fund të fundit DEF-i nuk është një projekt që bëhet vetëm nga një person, po është një projekt i bashkimit…DEF do të bëhet një pjesë integrale e shoqërisë shqiptare anembanë botës”, ka thënë Salihu. /Telegrafi/