Të dërmuar nga pandemia COVID-19, të ardhurat e turizmit në botë, në gjysmën e parë të vitit 2020, kanë shënuar një rënie prej 65 për qind.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së (UNWTO), përderisa vendet mbyllën kufijtë e tyre dhe imponuan kufizime të udhëtimit për të ndaluar përhapjen e Coronavirusit, të ardhurat nga turizmi për këtë periudhë shënuan një ulje prej 460 miliardë dollarë [rreth 400 miliardë euro], përcjell Telegrafi.

UNWTO thekson se këto shifra janë pesëfishi i humbjes të regjistruara mes krizës botërore financiare të një dekade më herët.

Raporti tregoi se Azia dhe Paqësori, rajoni i parë që ndjeu ndikimin e virusit në turizëm, ishin rajonet më të goditura me një rënie prej 72 për qind të turistëve në periudhën gjashtëmujore.

Këto rajone u pasuan nga Evropa me një rënie prej 66 për qind të mbërritjeve turistike, Amerika me 55 për qind, si dhe Afrika dhe Lindja e Mesme të dyja së bashku me një rënie prej 57 për qind.

UNWTO po ashtu raportoi se 53 për qind e destinacioneve kanë lehtësuar kufizimet e udhëtimit që nga fillimi i muajit shtator. /Telegrafi/