Janë plot 33 mijë nënshkrime; 33 mijë fuqi; 33 mijë ankues… Kaq njerëz të mbledhur për një çështje, në një vend me demokraci qytetare, do të ishin drithërimë për secilin zyrtar. Por, në Kosovë s’kanë takat këto 33 mijë shkresa as të lëvizin qëndrime, as të bëhen çështje, e jo të ndryshojnë vendime. Ndonëse takatin ua shton edhe ligji, edhe Kushtetuta e vendit, s’kryen punë asnjë gjë nëse për këtë dikush tjetër mendon ndryshe. Apo, dikush që është përcaktuar të jetë në një pozitë për të vendosur sipas tekës së tij pa honepsje.
Tani, në këto kohë, kur energjia elektrike është më pak e shpenzueshme në krahasim me ditët e ftohta të vitit, qytetarët (amvisëritë) edhe nuk do ta ndiejnë shumë rëndë barrën e faturave. Kështu nuk do të jetë me bizneset. Ato shpenzojnë vazhdimisht dhe paguajnë gjithherë kosto të lartë për këtë shërbim. Por, duke qenë se ndryshimet e kërkuara zyrtarisht me nënshkrim prej 33 mijë njerëzve nuk po merren parasysh, ose thënë më saktë po injorohen keqas, me gjasë do të shtrëngohemi të futemi për të zgjedhur midis dy varianteve të këqija. E para: që të vazhdojmë të paguajmë çmim të lartë të energjisë elektrike; e dyta: që padëgjueshmëria qytetare të rritet, duke bartur me vete pasoja të paparashikueshme.
Meqë faktori kohë është në dobi të institucioneve vendimmarrëse, ato mund të bëjnë planet e tyre të patrazuara. Këtë mundësi ua dhanë në formë direkte edhe organizatat e mbledhura të Shoqërisë Civile (KOSID), duke paralajmëruar se nuk do të ketë kundërshtime të organizuara deri në vjeshtë.
Mbetet droja se me ardhjen e ditëve më të ftohta, qytetarët do ta rivërtetojnë mos ekzistencën e tyre nga institucionet, e këto të fundit ose do të mund të kënaqen me triumfin ose do ta provojnë një herë e mirë dorën e fortë të sovranit. Kjo e dyta nuk do të ishte mirë të ndodhte, por pa dashur të nxirret në amnisti ndonjë veprim është e kollajshme të konkludohet se veprimi i nesërm i çfarëdoshëm është duke u ushqyer me pezëm nga këta institucionalistë, të cilëve u prin Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.
Anashkalimi i cilësdo kërkesë qytetare është bërë model i funksionimit, i mbjellë moti në kohë. Pasojat janë të shumta, por ne nuk i vërejmë apo nuk duam t´i vërejmë. Për ta mbyllur këtë shkrim këtu, po themi se kjo është edhe një arsye shtesë që Kosova të mos ketë investitorë të huaj të mëdhenj. Ata shohin, matin, vëzhgojnë dhe testojnë çdo gjë. Nuk futet asnjë biznes në një vend të caktuar pa e njohur mirë gjithë klimën e brendshme të tij. Dhe, normalisht, siç mund të merret me mend, mesazhi që u dërgohet investitorëve të huaj potencialë, është veçse puro negativ. Thënë shkurt: thjesht e prerë, ata do të mendojnë se ky shtet që nuk respekton armatën e 33 mijë qytetarëve të vet të mbledhur, si do të dëgjojë hallet tona të nesërme?
Injorimet e tilla shtojnë edhe shumë e shumë pikëpyetje, të cilat mund të nisin nga hezitimi i investimeve të huaja, e deri te thellimi i mosbesimit të individit në këtë shtet. Ne s´kemi nevojë të trashim mosbesimin në shtetin tonë. Nevoja shtrohet për të treguar të kundërtën. Andaj, na jepni mundësi të besojmë.
Na e dëshmoni se unë, qytetari i këtij vendi, nuk jam i pavlerë; se ai, qytetari i këtij vendi, nuk është i pavlerë; se ne, qytetarët e këtij vendi, nuk jemi të pa vlerë; se ju, zyrtarë vendimmarrës, nuk jeni totalë injorantë.