“Arrestimi i gjeneralit famëkeq, përgjegjës për vrasjen e mijëra qytetarëve të pafajshëm, është një dëshmi se të gjithë ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit herët a vonë do të përgjigjen para drejtësisë”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Diplomacia shqiptare e konsideron këtë një sinjal tepër pozitiv për çuarjen para drejtësisë të kriminelëve të luftës, por edhe për lehtësimin sadopak të dhimbjeve të të afërmve të qindra mijëra viktimave të pafajshme, të luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi.


“Shprehim besimin se ky akt do të pasohet edhe me arrestimin e shpejtë të të kërkuarve të tjerë dhe kjo do t’i shërbejë ndërtimit të marrëdhënieve më të mira midis vendeve të rajonit dhe proceseve integruese në rajon”, thuhet në deklaratë./Telegrafi/