Publikohen pamjet nga masakra mbi pengjet dhe operacioni i ushtrisë.
Qeveria e Bangladeshit tha se 20 pengje janë vrarë nga të dyshuarit si militantë islamikë pas rrethimit të kafenesë në zonën diplomatike të kryeqytetit Dhaka, njofton BBC.
Personat e armatosur sulmuan kafenenë “Holey Artisan Bakery” të premten në darkë, ndërsa trupat ushtarake arritën të hyjnë 12 orë më vonë.
Gjashtë nga sulmuesit u vranë dhe njëri u arrestua, tha zëdhënësi i qeverisë, përcjell mapo. Sulmi është marrë përsipër nga i ashtuquajturi Shtet Islamik.
Disa nga ata që u morën peng ishin nga Japonia dhe Sri Lanka. Rrethimi filloi kur ata ishin mbledhur për të ngrënë darkën, pas agjërimit në këtë muaj Ramazani.
Gjeneral Brigade, Naim Asraf Chowdhury tha se, 13 persona u shpëtuan përfshirë një japonez dhe dy nga Sri Lanka. Ai tha se viktimat ishin goditur brutalisht me thika të mprehta.
Gazeta “Daily Star” e Bangladeshit tha se të armatosurit torturuan gjithkënd që nuk kishte qenë në gjendje të recitonte Kuranin. Ata u lejuan ushqim vetëm robërve nga Bangladeshi.
Sumon Reza, një mbikqyrës në kafene, ishte në restorant kur ndodhi sulmi, por arriti t’ia mbathë nga çatia.
“E gjithë ndërtesa u lëkund kur ata shpërthyen eksplozivin”, i tha medias. Më vonë, ai kishte kërcyer nga çatia poshtë dhe ishte arratisur.