Tashmë ka hyrë në fazën finale realizimi i librit “Kush është Aziz Salihu”, kushtuar boksierit legjendar të Kosovës. Madje, shumë shpejt libri do të hidhet në treg dhe me paratë e mbledhura nga shitja e tij planifikohet t’i blihet një banesë Aziz Salihut, që ish-boksieri i famshëm ta presë më i qetë pleqërinë, bashkë me familjen e tij.
Autori i këtij libri, Cenë Pushkolli, në një prononcim për “Zërin” ka treguar përmbajtjen e këtij libri, i cili në fakt del të jetë mjaft interesant.
“Libri është përpiluar mbi bazën e një pyetjeje: Kush është Aziz Salihu? Ndërsa, përgjigjet janë të shumë njerëzve të njohur dhe më pak të njohur, qytetarë të të gjitha profileve, kategorive, moshave, profesioneve dhe niveleve të shkollimit”, thotë Pushkolli.
Ai tregon se nismës së tij humane tashmë i janë bashkuar qindra njerëz, të cilët kanë dashur të bëhen pjesë e këtij projekti, në përpjekjen e përbashkët për ta bërë krenarinë e dikurshme të Kosovës me një banesë.
“Është e pabesueshme sa kemi pasur të interesuar që të kontribuojnë në këtë projekt, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ishte e interesuar që të kontribuojnë rreth plasimit të librit në mënyrë që fondi i mjeteve të dhuruara të jetë sa më e madhe, vetëm e vetëm që me ato mjete t’i blihet një banesë familjare Azizit apo siç e quajnë të gjithë Zizit tonë të dashur”, shpjegon Pushkolli, duke i falënderuar të gjithë ata njerëz që me prononcimet e tyre e ndihmuan në finalizimin e projektit, i cili pritet të rrumbullakohet duke e bërë fituesin e një medalje olimpike me kulm mbi kokë.
Por, Pushkolli ka edhe kritika për një klasë të shoqërisë. Ai thotë se është për keqardhje fakti që disa funksionarë të sportit, sportistë e ish-sportistë, nuk kanë gjetur kohë për t’i shkruar disa rreshta për sportistin e shekullit.
“Unë kam provuar të marr prononcime edhe nga politikanët tanë, deputetë e ministra, madje edhe nga këshilltarët e ministrave kemi kërkuar prononcime, të gjithë kanë premtuar se do ta dërgojnë prononcimin, por mjerisht nuk kemi marrë prononcime nga ata. Kjo nuk do koment. Kjo tregon se sa dyfytyrësh jemi”, potencoi Pushkolli.
Ai ua kujton të gjithëve se Aziz Salihu nuk e ka merituar injorancën e tyre, pasi dikur i bënte krenarë gjithë shqiptarët përmes boksit, ishte i ndjekur dhe i maltretuar nga ish-okupatori, e po ashtu kur Kosovës po i dilte tymi i luftës në vitet 1998-1999, Aziz Salihu në Maqedoni kishte pritur refugjatë të dëbuar nga Kosova, duke u ndihmuar me ushqime e madje edhe me para.
Sipas Pushkollit, Salihu kishte hequr dorë edhe nga pensioni prej 1 mijë eurosh që ia kishte ofruar Serbia, pasi kjo e fundit kishte kërkuar prej tij që ta njohë si shtet të vetin.