LAJMI I FUNDIT:

Të shtëna armësh në veri të Mitrovicës

Të shtëna armësh në veri të Mitrovicës

Të shtëna të herë pas hershme me armë zjarri të cilat janë dëgjuar po thuajse gjatë gjithë natës së mbrëmshme në ‘Lagjen e doktorëve’ në veri të Mitrovicës, kanë shqetësuar tej mase banorët shqiptarë të kësaj lagje me popullatë të përzier.

Bashkim Myftari, banor i kësaj lagje, ka thënë për “Kosovapress”, se familja e tij ka qenë nën ankth gjatë natës së mbrëmshme për shkak të krismave nga armë të ndryshme automatike. Sipas tij, serbët e lagjes kanë shtënë me armë pa precizuar nëse kanë pasur ndonjë aheng.

Të shtënat me armë në këtë lagje i ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti.


“Policia është njoftuar për të shtënat në afërsi të ‘Lagjes së doktorëve’. Njësitë policore kanë dalur në vendin e ngjarjes, por nuk kanë arritur të precizojnë lokacionin e saktë, pasi nuk është gjetur asnjë gjurmë”, ka thënë Hoti, duke shtuar se hetimet rreth këtyre të shtënave janë në proces. /Telegrafi/