Mundi shumë vjeçar i familjes Iseni, po rrënohet para syve të tyre. Kryefamiljari po e sheh si të pabanueshme shtëpinë që kishte dikur. Uji që sollën vërshimet i dëmtoi keq pronën, ku edhe themelet i lëvizën, dhe i çanë muret. Për të heq sa më pak, atij i dolën në ndihmë sot makineritë e rënda, që në lagje kanë ardhur prej ditës së parë nga vërshimet, për të ndihmuar banorët në pastrimin e pronave të tyre, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Është dëmtuar e gjitha, kemi pasur 2 dhoma kuzhinë dhe një banjë. Të gjitha i kemi të prishura, nuk kemi ku të jetojmë. Familjen e kam në Haraçinë te miqtë e mi. Komisioni ka qenë për ti vlerësuar dhe tani presim të na paguajnë. Jemi katastrofë! Nuk kemi ku të shkojmë! Na ndihmoftë shteti dhe njerëzit human”, u shpreh për Tv21, Ragmi Iseni, banor i Hasanbegut.
Edhe familja Qamili, ka pësuar shumë dëme.
Shtëpia e tyre pas vërshimeve, nuk është vend ku mund të jetohet.
Nga frika se mund të mashtrohen nga premtimet për kompensim të dëmeve, ata kanë vendosur që të mos e rrënojnë pronën, por të presin qeverinë se si do ta çojë fjalën në vend.
“Për momentin jemi në gjendje të vështirë, nuk mund të jetohet më këtu , sepse asgjë nuk kemi mundur të shpëtojmë. Familjarët kanë pastruar enterierin sepse gjithçka çfarë ka pasur janë kalbur. Komisionit kanë qenë dhe presim vlerësimet për dëmshpërblime. Ne po jetojmë tek komshinjtë”, shtoi Fatmir Qamili, banor i Hasanbegut.
Skeptik janë edhe familje të tjera se do të dëmshpërblehen siç u është thënë.
Familja Ibishi, tash e 13 ditë pret komisionin për vlerësimin e dëmeve.
Orenditë e shtëpisë dhe gjësendet e tjera, ende i ruan brenda shtëpisë, si dëshmi për të ilustruar saktë për dëmet që pësoi.
Droja është po aq e madhe sa dëmi që pësoi kjo familje 10 anëtareshe.
“Nuk jetohet më këtu, duhet të kemi shumë para për ta ndërtuar të re. Unë kam katin e sipërm të pa rregulluar, por kam prindër në moshë dhe për atë nuk mundem të jetojë lartë. Problem është se komisioni ende nuk ka ardhur për ta vlerësuar dëmet. Unë kujdesem për 10 anëtarë të familjes dhe dua që sa më shpejt të na mundësohet vlerësimi dhe të na jepet dëmshpërblim”, tha Naser Ibishi, banor i Hasanbegut.
Në Hasanbeg edhe familje të tjera kanë të njëjta rezerva.
Krejt kjo thonë ata se u shkaktua nga pasiguria, meqë nuk e dinë se kur, si, dhe sa do të kompensohen nga shteti, për vërshimet e 6 gushtit./Telegrafi/