LAJMI I FUNDIT:

Takim vendimtar i ministrave të Financave të BE-së në kohën e pandemisë së Coronavirusit

Takim vendimtar i ministrave të Financave të BE-së në kohën e pandemisë së Coronavirusit

Në një kohë që pandemia e Coronavirusit ka bërë që shumë ndërmarrjeve t’u shterojnë rezervat e të bjerë në koma ekonomia evropiane, ministrat e Financave të Bashkimit Evropian takohen përmes një video-konference në një nga debatet e tyre më të rëndësishme për bllokun. Këtë vlerësim bëjnë diplomatët në Bruksel.

Ministrat e Financave duhet të gjejnë receta për krizën dhe recesionin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Kancelarja Angela Merkel tha në Berlin, se BE ndodhet para testit më të vështirë që nga themelimi i saj.

Jo ujdi për borxhe të përbashkëta

Krerët e shteteve dhe qeverive nuk mund të binin në ujdi para 10 ditësh për borxhe të përbashkëta. Ata e kaluan këtë detyrë tek ministrat e Financave. Sipas diplomatëve të BE-së, në tryezë qëndron një propozim me tre instrumente: nga instrumenti financiar i krizës së euros i njohur si ESM, mburoja evropiane e shpëtimit do të vihen në dispozicion 240 miliardë euro kredi paraprake për shtetet e BE-së që kërcënohen nga norma të larta interesi në tregjet financiare.

Banka Evropiane e Investimeve (EIB), do të japë edhe 200 miliardë euro, rezervë tek e cila mund të tërheqin para shtetet në nevojë. Komisioni Evropian vetë krijon një fond prej 100 miliardë eurosh, për të mbështetur sigurimet e papunësisë në shtetet anëtare.

Lidhur me emërtimin e njohur si Coronabonde, pra borxhe të përbashkëta të Eurozonës nuk ka ndonjë propozim për vendim. Coronabondet që mbështeten nga nëntë vende evropiane, si Franca, Italia e Spanja nuk pranohen nga vendet nordike të BE-së si Gjermania, Holanda apo Finlanda. Debati për kuptimin që kanë këto letra me vlerë këto kohë po zhvillohet i ashpër.

Kërkohet përgjigje e fortë

Dy komisionarë të BE-së, Paolo Gentiloni nga Italia dhe Thierry Breton nga Franca në një artikull të përbashkët për mediet evropiane, janë shprehur për obligacione të përbashkëta. Kurse dy ministra gjermanë, Heiko Maas si ministër i Jashtëm dhe Olaf Scholz si i Financave në një artikull tjetër për mediet kryesore evropiane mbështesin tre instrumente financimi – mburojën e shpëtimit të euros, Bankën e Investimeve dhe Komisionin Evropian.

Komisionari për Ekonominë dhe Valutën, Gentiloni u përpoq në Bruksel të zbuste tensionet mes vendeve të eurozonës.

“Nuk ka humbës e fitues. Tani nuk është koha për grindje, sepse kemi të bëjmë me një krizë të pashembullt”, tha Gentilioni.

Nga ministrat e Financave ai pret “një mesazh të unitetit të pandarë”.

Mburoja e shpëtimit të euros e papërshtatshme?

Italia e Spanja e të tjerë e refuzojnë modelin e preferuar nga Gjermania të Mekanizmit të Shpëtimit të Euros.

Sipas kryeministrit italian, Giuseppe Conte, ESM është menduar për një tjetër lloj krize. Në krizën e Coronavirusit nuk bëhet fjalë për dështimin e politikave financiare të vendeve të caktuara, por për një shok “simetrik” të të gjitha vendeve të BE-së. Kreditë e emergjencës sipas vendeve jugore të BE-së janë stigmatizuese edhe nëse kushtet e kreditimit janë të favorshme. Sepse nuk do të ketë një trojkë kontrolluese si në rastin e krizës në Greqi, Irlandë, Qipro apo Portugali.

Kreu i Institutit për Studimet Ekonomike e Politike – Bruegel, Guntram Wolff sheh një afrim të pozicioneve në ditët e fundit. Megjithëse debatet janë shumë intensive.
“ESM nuk është e pranueshme për vendet jugore, Coronabondet i refuzojnë vendet veriore. Pra ata duhet të piqen diku në mes. Kompromisi mund të jetë një fond solidariteti. Ai do të jepte bonde apo obligacione, që duhet të kenë pastaj një emër tjetër. Me gjuhën mund të arrihen shumë gjëra”, thotë Wolff për Deutsche Welle.

Por se sa borxhe do të kërkojë një fond i tillë, për këtë komisionari Gentiloni nuk mund të jepte një përgjigje.

Rimëkëmbja kërkon më shumë fonde

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk është shprehur për borxhe të përbashkëta.

Ajo flet për një “Plan Marshal”, të cilin e kërkon edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez. Ky plan, ka marrë emrin e ministrit të Jashtëm amerikan, George Marshall. Në vitin 1948, Shtetet e Bashkuara të Amerikës investuan 12 miliardë dollarë (apo 100 miliardë dollarë në vlerën e ditëve të sotme) për të mbështetur ekonomikisht Evropën pas Luftës së Dytë Botërore.

Von der Leyen kërkon të mbështesë rimëkëmbjen e ekonomisë në BE duke përdorur buxhetin e përbashkët të saj, që në vit kap një shifër 120-130 miliardë euro.

Sipas Wolff, “kuadri buxhetor afatmesëm i BE duhet të ndryshojë radikalisht. Ai duhet të zgjerohet, nëse do të ketë efektin e një plani të tillë”.

Nuk dihet, nëse vendet që paguajnë neto në BE, Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Finlanda, Danimarka, etj., do të jenë të gatshëm për këtë. Pas recesionit të Coronavirusit duhet ditur njëherë, se cili vend është ende pagues neto në BE.

A do të bëjë pjesë ende Italia aty? Do të ruajnë Polonia dhe Hungaria statusin e tyre si marrës të fondeve? /Deutsche Welle/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Ik në Blue Fafa për vikend: Shijo pranverën e hershme buzë detit

Ik në Blue Fafa për vikend: Shijo pranverën e hershme buzë detit

Fafa Resort
Rreth 2700 punëtorë të Postës dhe Telekomit pa rroga, Sindikata paralajmëron protesta për të martën

Rreth 2700 punëtorë të Postës dhe Telekomit pa rroga, Sindikata paralajmëron protesta për të martën

Ekonomi
Vizitoni destinacionet magjike me kompaninë kosovare gjatë gjithë verës

Vizitoni destinacionet magjike me kompaninë kosovare gjatë gjithë verës

Prishtina Ticket
Fortesa Home: Lideri në Industri dhe Partneri i Projekteve Luksoze në Kosovë

Fortesa Home: Lideri në Industri dhe Partneri i Projekteve Luksoze në Kosovë

Fortesa Home
Ftesë per ofertim

Ftesë per ofertim "Punime në “Telework” dhe “Civilwork” në rrjetin e IPKO

IPKO
Po kërkoni punë? Telegrafi Jobs ka diçka edhe për ty

Po kërkoni punë? Telegrafi Jobs ka diçka edhe për ty

Ekonomi
Kalo në kategori