Tahir Meha mbyti një frikë të madhe dhe fuqizoi mesazhin se shqiptarët ishin të pakënaqur me pozitën e tyre dhe nuk nënshtroheshin.

Kështu u tha në Akademinë Përkujtimore, në nderim të 35 vjetorit të rënies heroike të Tahir e Nebih Mehës, ku familjarët kërkuan që të gjithë heronjtë e rënë nga forcat serbe, të jenë të barabartë me dëshmoret e UÇK-së.


Akademia u mbajt nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se 35 vite pas, jemi krenar me historinë e këtij njeriu të madh të kombit tonë.

“Jemi shumë krenarë për historinë e këtij njeriu të madh të kombit tonë. Për arsye se 35 vite më herët, ai e mbyti një frikë, e cila ishte një frikë e madhe e shpërndarë mbi qytetarët tanë me ardhjen e shumë njësive policore anë e kënd Kosovës nga ish-federata Jugosllave. Në të njëjtën kohë tregoi dhe fuqizoi një mesazh, i cili ishte i thënë fuqishëm nga gjithë rinia studentore dhe rinia e Kosovës në demonstratat e vitit 1981, se shqiptarët ishin të pakënaqur me pozitën e tyre juridike, të cilin e kishin në kuadër të ish-federatës Jugosllave, se shqiptarët nuk nënshtroheshin”, tha ai.

Sipas Veselit, ideja e Tahir Mehës ishte e drejtë, për të ardhur deri tek epoka e UÇK-së dhe Adem Jasharit.

Ndërsa, pohoi se heronjtë, do të përkujtohen me respekt dhe se të gjithë bashkëluftëtarët e gjallë të Mehës, duhet të jenë të vetëdijshëm që kanë shumë obligime, të cilat ndërlidhen me të ardhmen e këtij vendi.

“Ideja e Tahir Mehës i cili nuk kishte shkollë por kishte shpirt, kishte identitet të vet. Ishte e drejtë për të ardhur deri tek epoka e cila tanimë njihet më së miri me emrin e UÇK-së, për të ardhur tek njeriu i cili është simbol i kësaj ushtrie, i cili është epiteti më i lartë i shpirtit, rezistencës dhe atdhetarizmit të kombit tonë, siç është emri i komandantit legjendar, Adem Jashari”, tha Veseli.

Ilir Meha, i cili foli në emër të familjes Meha tha se Tahir Meha ishte trim dhe vizionar.

Ndërsa kërkoi nga institucionet e vendit që të gjithë heronjtë e rënë nga forcat serbe, të jenë të barabartë me dëshmoret e UÇK-së, të trajtohen njëjtë dhe t’u njihet epiteti i dëshmorit. /Telegrafi/