Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Ka kohë që ka magjepsur publikun. Ajo bënte pjesë në grupin ‘Hana Band’, pas sukseseve të njëpasnjëshme me këngët e saj të kthyera tashmë në hite ‘Ende të dua’, ‘Problem shumë serioz’, ‘Paradox‘, ‘Sonte n’orën 12:00’, etj., Kaltrina filloi karrierën e saj si soliste. Mjafton të kujtojmë klipet e këngëve si ‘Më ke humbur’, ‘Harromë’, ‘Hajt’, ‘Ti më fal’, ‘Ditëlindja’ , etj, për të sjellë në kujtesë këngëtaren, e cila në çdo klip sjell krahas të tjerave edhe fabula mjaft interesante.
Kaltrina, na tregoni pak për fëmijërinë tuaj, si ka kaluar ajo, e kishit menduar se një ditë do të ishit kaq e njohur?
Gjatë viteve kam ndryshuar, kam pasur faza që kam qenë shumë e qetë dhe e kundërta, kur kam qenë edhe problematike, më e gjallë dhe e prirë për sherre, por gjithmonë shumë e lidhur me familjen dhe shumë e shoqërueshme…Nuk e kam menduar që ndonjëherë do arrijë këtu ku jam sot, nuk e kam imagjinuar dot se do këndoj, kam menduar se gjithë jetën do ta dua muzikën, porse kjo do mbetet vetëm një ëndërr e imja.
Çfarë ka ndryshuar tek Kaltrina që nga ajo kohë?
Përveç arritjeve në karrierë, nuk ka ndryshuar asgjë.
Shpesh, këngëtarët bëhen të famshëm me një hit të momentit dhe duket sikur i ndjek suksesi. Kaltrinën, cila këngë e bëri të njohur?
Kjo ka ndodh dhe tek unë ose thënë më saktë, tek ne, sepse pikërisht me këngën e parë që e kemi realizuar me grupin ‘Hana’, jemi bërë të njohur. Dhe, këtë këngë, ende e pëlqej. Menjëherë pas editimit të klipit, kemi startuar me mbrëmje të njëpasnjëshme duke pasur. njëkohësisht edhe suksese meritore.
Sapo keni publikuar këngën “Hot”, një videoklip, që është xhiruar në bregdetin e Vlorës. Na flisni diçka për të?
Këto ditë kam edituar këtë këngë dhe më gëzon fakti që ka një sukses shumë të madh. Kënga, mendoj, është shumë e qëlluar, është mjaft verore. Bashkëpunëtorët e kësaj kënge janë Don Arbas, i cili ka komponuar dhe orkestruar këngën dhe Mc Beka, si tekstshkrues.
Pse pikërisht e keni titulluar këngën “Hot”?
Titulli zakonisht i është vënë pasi ka përfunduar komplet teksti dhe, duke e vlerësuar që kjo fjalë përbën thelbin e tematikës, e titulluam, ‘Hot’.
Pas kësaj kënge, cila do të jetë befasia e radhës e Kaltrinës?
Me të vërtet, do të jetë një befasi, për të cilën nuk parapëlqej të flas, sepse dua që të mbetet surprizë për publikun
Karakterizoheni nga një performancë dhe pamje e veçantë, çfarë të frymëzon për të qenë e tillë?
Duke anashkaluar frymëzimin, jam Kaltrina, kjo që jam, dhe, asnjëherë nuk kam tentuar të dal nga vetja.
Te cilësia është edhe sasia, kurse te sasia nuk është cilësia. Duket se ju i kushtoni shumë rëndësi cilësisë, kurse sasia vjen vet?
I kushtoj shumë rëndësi cilësisë, prandaj çdo këngë që e kam realizuar, iu kam përkushtuar maksimalisht. Kjo është edhe arsyeja, pse unë, nuk kam numër të madh të këngëve.
Tashmë keni krijuar stilin tuaj origjinal. A do t’i mbeteni besnik stilit dhe qëndrimit tuaj?
Kjo është primare që të mos largohem nga stili im, sepse, nëse bëj diçka të tepërt, nuk ndjehem rehat. Nuk më pëlqen të dal nga vetja, çdo gjë që e bëj, e mendoj mirë.
Kush fshihet pas sukseseve të Kaltrinës (pra, flasim për bashkëpunëtorët tuaj).
Kam një rreth të ngushtë të bashkëpunëtorëve me të cilët punoj rregullisht pasi që gjithmonë jam shumë e kënaqur me punën e tyre. Kompozitorë janë: Florent Boshnjaku, Virusi, Flori Mumajesi dhe Don Arbas, ndërsa tekstrshkures: Mit’hat Sadiku, Beka, Arsim Bunjaku dhe Avni Qahili.
Mendoni se suksesi është fat apo dhunti?
Dhuntia është gjëja më e rëndësishme që na dhuron Zoti dhe besoj që e sjell edhe suksesin, porse ndonjëherë mund ta posedosh ndonjë dhunti, por po nuk pate fat, është e kotë.
Një pyetje që është bërë gjithmonë por që realisht vlen të bëhet sërish: është ky treg kaotik që ushqen shijet e publikut, apo është publiku që kërkon të ketë këtë cilësi që i ofrohet?
Është e vërtetë që tregu muzikor në vendin tonë për momentin është treg kaotik për arsye se janë përfshirë rryma të ndryshme të muzikës. Unë, mendoj se duhen të rregullohen shumë gjëra që të vihen në vendin e vet. Gjithashtu, mendoj se nuk është vetëm publiku fajtor që kërkon këtë cilësi muzikore. Një pjesë të fajit e kanë këngëtarët dhe disa krijues të muzikës të cilët servojnë antivlera në treg, kur dihet që ne duhet të stimulojmë dhe të ndikojmë në shijet e dëgjuesve duke u ofruar atyre muzikë sa më cilësore.
Si është klima mes këngëtareve, kryesisht atyre femra. Ka bërryla, dhe këta bazohen më shumë te talenti apo pamja e jashtme? Mua më takon të flasë më pak për këtë çështje, mirëpo, pasi më bëtë këtë pyetje, mund të them se, në rrethin ku unë veproj, mbizotëron kryesisht një atmosferë e mirë kolegjiale dhe miqësore.
Ndryshe nga moshataret tuaja, punoni tash sa vite. A ju dhimbset ndonjëherë që keni lëshuar një pjesë të mirë të fëmijërisë dhe të adoleshencës dhe përnjëherë keni hyrë në botën e të rriturve?
Një pyetje shumë me vend që më riktheu në rininë e hershme dhe më bëri të mendohem…!? Muzika më ka privuar nga shumë gjëra, nuk kam mundur të bëj me një jetë siç bëjnë moshatarët e mi në adoleshencë, por nga vështrimi tjetër, muzika, njëkohësisht, më ka sjellë shumë gjëra të veçanta.
Cila është gjëja me e bukur me të cilën jeni përballur këto ditë?
Janë komplimentet e shumta që i marr për këngën dhe kripin.
Dimë që Kaltrina është e fejuar, na trego pak për djalin që ke në krah, çfarë profesioni ka ai?
E kam thënë edhe në intervista të tjera që i fejuari im është Dritoni, prej shumë vitesh jeton në Londër. Momentalisht menaxhon një restaurant dhe është kontabilist i diplomuar.
Çfarë ka të veçantë ai djalë që është me ty?
Përderisa është me mua, mendoj, që është më i veçanti nga meshkujt e tjerë. Vlerësoj shumë gjëra tek ai, ndër të tjera respektin dhe kujdesin që ka ndaj meje.
Po dasma juaj kur të bëhet si do të jetë?
Nuk e di, nuk kemi menduar për detajet.
Grindeni shpesh, dhe mund të na tregosh për çfarë jeni grindur herën e fundit?
Zënkat tona janë të rralla, por edhe kur zihemi gjithmonë bëhet fjalë për imtësia.
Një karrierë artisteje, sa kohë të lë për jetën private?
Dihet që ne artistët kemi me pak kohë për jetë private, mirëpo unë maksimalisht i jap rëndësi dhe i lë vetes hapësirë për ta shijuar.
Stina e verës, do të është një periudhë pune apo relaksi për ju. Çfarë planesh keni?
Të dyja njëkohësisht. Punë, por një periudhë do ta shfrytëzoj edhe për relaks.
Më poshtë videoklipi i këngës "Hot":
/Telegrafi/