LAJMI I FUNDIT:

Sulfidi i hidrogjenit mund të ndihmojë në uljen e shtypjes së gjakut

Sulfidi i hidrogjenit mund të ndihmojë në uljen e shtypjes së gjakut

Një gaz që ua jep vezëve të prishura erën e tyre dalluese do të mund ta formonte një ditë bazën e terapive të reja kardiovaskulare. Hulumtimet kanë treguar se një komponim i ri, i quajtur AP39, i cili gjeneron sasi të vogla të gazit sulfid të hidrogjenit brenda qelizave, mund të jetë i dobishëm në rastet e shtypjes së lartë të gjakut dhe sëmundjeve të enëve të gjakut që shfaqen me plakjen dhe diabetin.

Në kushtet e tilla, nivelet e sulfidit të hidrogjenit në trup janë të varfëruara, me ç’rast mendohet të jenë konsumuar nga oksidantët në inde dhe gjak. Tani, në testet laboratorike, studimet e udhëhequra nga Shkolla Mjekësore e Universitetit të Exeterit, në bashkëpunim me Akademinë Sllovake të Shkencave, konstatuan se zëvendësimi i këtyre niveleve përmes dozave të vogla të AP39 dha përfitime të dukshme.

Puna, e mbështetur nga Agjencia Sllovake për Kërkime dhe Zhvillim dhe e publikuar në edicionin special të Nitric Oxide Journal për sulfidin e hidrogjenit, konstatoi se administrimi i AP39 në kafshët me shtypje të lartë të gjakut e kishte ulur në mënyrë të konsiderueshme ritmin e zemrës, shtypjen e gjakut dhe ngurtësimin e enëve të gjakut.


Prof. Matt Whiteman, nga Shkolla Mjekësore e Universitetit të Exeter, i cili e udhëhoqi studimin, tha: "Ky hulumtim i përforcon në mënyrë të konsiderueshme provat tona që sulfidi i hidrogjenit mund ta mbajë çelësin e terapive të reja dhe efektive në njerëz. Ende jemi në një fazë të hershme, por deri më tani çelësi i suksesit duket të jetë shpërndarja e sulfidit të hidrogjenit në vendin e duhur brenda qelizave dhe imitimi i mënyrës se si trupi e prodhon këtë gaz në mënyrë natyrale.

Mekanizmi mund të jetë përmes bllokimit të një kanali të kalciumit në zemër i cili i rregullon rrahjet e zemrës, duke i ngadalësuar ato. Përdorimi klinik i ilaçeve i cili gjithashtu e bllokon këtë kanal ka efekte të ngjashme, por doza 10- fish më të larta janë të nevojshme. "

Ekipi hulumtues tani është duke i hulumtuar efektet e AP39 në modele të tjera të sëmundjeve të zemrës dhe të enëve të gjakut, si arresti kardiak dhe sulmet e zemrës.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori