Autoritetet suedeze kanë sekuestruar një anije, që dyshohet se ka dëmtuar një kabllo të dhënash që kalonte nën Detin Baltik për në Letoni.
Prokurorët thanë se një hetim fillestar tregoi për sabotim dhe një hetim është nisur që përfshin policinë, ushtrinë dhe rojet bregdetare të Suedisë.
Më herët të dielën, ushtria e Letonisë raportoi se dy anije u panë në zonën ku ndodhi dëmtimi, transmeton Telegrafi.
Sulmi i dukshëm vjen më pak se një muaj pasi NATO nisi një mision të ri në Detin Baltik në përgjigje të sulmeve të përsëritura ndaj kabllove nënujore të energjisë dhe telekomit – për disa prej të cilave është fajësuar Rusia.
Kryeministrja letoneze Evika Selina, tha se vendi i saj po punon ngushtë me Suedinë dhe NATO-n në përgjigje të incidentit.
Kablloja i përket transmetuesit shtetëror të Letonisë, LVRTC, i cili tha në një deklaratë se kishte pasur “ndërprerje në shërbimet e transmetimit të të dhënave”, por që përdoruesit përfundimtarë do të ishin kryesisht të paprekur.
Në fillim të këtij muaji, NATO nisi misionin e saj të ri “Baltic Sentry”, pasi disa kabllo nën Detin Baltik u dëmtuan ose u shkëputën në 2024.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte tha se misioni do të përfshijë më shumë aeroplanë patrullimi, anije luftarake dhe dronë.
Ndërsa Rusia nuk u veçua drejtpërdrejt si një fajtore për dëmtimin e kabllove, Rutte tha se NATO do të rrisë monitorimin e saj të “flotës hije” të Moskës – anijet pa pronësi të qartë që përdoren për të transportuar produkte nafte.
Rutte tha se kishte “arsye për shqetësim të madh” për dëmtimin e infrastrukturës, duke shtuar se NATO do t’i përgjigjet me forcë incidenteve të ardhshme, me më shumë kontrolle të anijeve të dyshuara dhe, nëse është e nevojshme, sekuestrimin e tyre.
Policia finlandeze në fund të vitit të kaluar tha se po heton nëse një anije ruse ishte përfshirë në sabotimin e një kablloje elektrike, që kalonte midis Finlandës dhe Estonisë. /Telegrafi/