Site icon Telegrafi

Stine: Me Skillz na bashkon stili në muzikë

Stine, do të prezantoni këngën tuaj në festivalin “Kënga Magjike”, këtë të diel. Për çfarë këngë bëhet fjalë?

Po me një këngë, që titullohet “Ndaloje vrapin”, një bashkëpunim me grupin kosovar “Skillz” nga Kosova. Kemi menduar një kombinim të veçantë dhe një perfomancë speciale nëse do të arrijmë në finale.

Keni miqësi me djemtë e grupit “Skills”?
Po, është një miqësi mes artistësh, pasi na bashkon stili në muzikë. Mund të them se janë miq shumë të mirë.

Me çfarë po merreni për momentin, u bënë kohë që nuk ju shohim të dilni në treg me një album të ri?

Jam duke punuar për një album dimëror, që mendoj ta publikoj para dhjetorit. Ky është albumi im i tretë pas tri vitesh mungesë. Arsyeja, pasi nuk dua të jem ai këngëtari, që nxjerr albume çdo vit. Unë nuk bëj muzikë se duhet, por bëj se e ndiej.

Pse ky album në dimër, ndërkohë që mania e artisëve është t’i publikojnë albumet e tyre në verë?

Po e di. Kjo është tendenca e këngëtarëve në përgjithësi. Por unë mendoj se është më mirë që albumi të publikohet në dimër, në mënyrë që këngët të arrijnë të bëhen ‘hit’, verës tjetër.

Cilat janë rrymat e këngëve, që përfshihen në këtë album?

Soul, R and B, por natyrisht do të ketë dhe këngë ku unë eksperimentoj me muzikën.

Do të bashkëpunoni me këngëtarë të tjerë?

Po. Do të ketë bashkëpunime me këngëtarë të tjerë, pasi gjithnjë kam qenë i hapur për bashkëpunime me artistë të vërtetë.

Çfarë kuptoni kur thoni “artistë të vërtetë”?

E kam fjalën për këngëtarë profesionistë, që edhe pëlqehen nga masa, por dhe kanë karakterin e tyre.

Po pse ky fanatizëm për të qenë vetë vetë autor i të gjitha këngëve tuaja, si në muzikë ashtu dhe në tekste?

Jo, unë jam shumë i hapur dhe nuk jam fanatik i muzikës sime. Por deri tani nuk e kam ndier të nevojshme, pasi mendoj se rrymën time e njoh mirë. E natyrisht më pëlqen muzika e kompozitorëve të rinj në Shqipëri.

Fitojnë këngëtarët nga shitja e albumeve, po ju?
Në Shqipëri absolutisht nuk mund të marrësh fitime nga shitja e albumeve, madje mund të dalësh me humbje. Të vetmet fitime të këngëtarëve janë koncertet.

Ju jeni autor i këngëve të shumë artisteve femra. A mund të përmendni disa emra?
Po janë Besa Kokëdhima, Anjeza Branka, Ingrid Gjoni, Samanta Karavello, Denada Bare, dhe grupi LRC.

Bëni përzgjedhje të këngëtareve, me të cilët bashkëpunoni?
Dikur nuk i përzgjidhja këngëtarët për të cilat kompozoja këngë. Tani po.

Jeni i dashuruar me Rozën, vajzën bjonde të aktores Rita Lati. Ç’mund të na thoni për këtë lidhje?
Besoj se nuk është momenti i duhur për të folur për këtë lidhje. Por ajo që mund të them me bindje është se me Rozën kam 3 vite i dashuruar, dhe kjo është lidhja më e gjatë, që kam jetuar ndonjëherë.

Ç’mund të më thoni tjetër për Rozën, mund të përfshihet ajo në botën e artit?

Roza është studente në vitin e dytë për shkenca politike në një universitet privat, dhe nuk ka asnjë plan t’i hyjë botës së artit. Ndihemi shumë mirë bashkë.

Po relatat me Rita Latin?

Shumë të mira. Takohemi shpesh, shkembëjmë mendime dhe shkojmë mirë. Ajo që më çudit është se është e vetmja artiste, që nuk ka dëshirë që vajza e saj të bëhet po artiste.

Cilat janë disa hobe që keni?
Dikur hobet e mia përveç muzikës kanë qenë; vallëzimi, basketbolli dhe makinat. Tani i vetmi pasion mbetet muzika.

Kjo tregon që jeni rritur?
Po tashmë jam 27 vjeç, edhe pse mënyra se si vishem e sillem mund të më tregojë shumë më të ri. /PanoramaPlus/

Exit mobile version