LAJMI I FUNDIT:

Skenës politike i shtohet edhe Partia Konservatore e Kosovës

Skenës politike i shtohet edhe Partia Konservatore e Kosovës

Këshilli Nismëtar për themelimin e Partisë Konservatore të Kosovës, të dielën në Prizren, ka mbajtur aktivitetin e fundit publik para aplikimit për regjistrim në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Anëtarët e këtij formacioni politik në sheshin e Shadërvanit kanë takuar qytetarët e Prizrenit, para të cilëve kanë shpalosur programin, që bazohet në mbrojtjen e vlerave e pozitive të shoqërisë kosovare. Me këtë rast janë mbledhur edhe nënshkrimet e qytetarëve, që janë të nevojshme për aplikim në KQZ.

"Esenca dhe qëllimi i këtij aktiviteti të sotëm ka qenë që të bashkëbisedojmë me qytetarët prizrenas dhe të prezantojmë programin politik dhe vizionin tonë për realizimin e tij, para se të aplikojmë në KQZ për regjistrim", ka thënë udhëheqësi i Këshillit Nismëtar të PKK-së, Munir Basha, transmeton Koha.net.


Sipas tij, aktiviteti është organizuar në Prizren për shkak se ky qytet pritet që të jetë bastioni kryesor i kësaj partie të re, ndërkohë që shtrirja do të vazhdoj në Prishtinë dhe në qendrat tjera të vendit. Ai ka pranuar se shumica e anëtarëve të Këshillit Nismëtar vijnë nga Partia e Drejtësisë dhe synojnë që të ofrojnë një kualitet të ri në skenën politike kosovare, duke e mbështetur programin në vlerat tradicionale.

Basha ka qenë kryetar i degës së PD-së në Prizren. Përplasjet me kryetarin e PD-së, Ferid Agani kanë shtyrë atë dhe një pjesë dërrmuese të degës së PD-së në Prizren të ndërmarrin nismën për krijimin e partisë së re. /Telegrafi/