Juventusi ka arritur marrëveshje personale me Kaio Jorge dhe agjentin e tij – njofton SportItalia.
19-vjeçari ka kontratë me Santosin deri në muajin dhjetor të këtij viti, ndërsa kur lojtari është në muajt e fundit të kontratës ka të drejtë të negociojë me klube tjera.
Marrëveshje të njëjtë me futbollistin më herët kishte arritur edhe Milani, në ndërkohë dy klubet italiane tash duhet të arrijnë marrëveshje me klubin që e pronëson.
Një klub i tretë në garë është Benfica që ka zgjedhur një rrugë tjetër. Klubi portugez i ka ofruar Santosit 10 milionë euro, ndërsa në marrëveshje e ka kërkuar edhe mbrojtësin e krahut, Gilberto.
Megjithatë, Kaio Jorge dhe agjenti i tij janë të vendosur për Serie A dhe nuk do ta pranojnë ofertën e Benficas.
Kështu, Juventusi dhe Milani do të tentojnë të arrijnë marrëveshje me Santosin gjatë verës ose do ta vazhdojnë garën në janar për ta transferuar me parametrat zero.
Kjo situatë i lë pak mundësi klubit brazilian që do të detyrohet të pranojë një shumë më të vogël se tre milionë euro për futbollistin ose do ta humbë pa para në fund të vitit. /Telegrafi/