LAJMI I FUNDIT:

Sistemi i ri i pagave më 2014

Sistemi i ri i pagave më 2014

Ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Jagxhilar, tha për “Epokën e re” se brenda këtij viti do të përfundojë procesi i klasifikimit të vendeve të punës për shërbyesit civilë. Në këtë kontekst, Jagxhilar ka thënë se duke filluar nga viti i ardhshëm në Kosovë do të aplikohet sistemi i ri i pagave, i cili, sipas tij, bazohet në meritë dhe avancim.

Duke folur për reformat në administratë publike, Jagxhilar ka thënë se MAP-ja nuk e ka në agjendë zvogëlimin e administratës publike, konkretisht largimin e shërbyesve civilë nga puna. Jagxhilar, ka thënë se procesi i reformës së administratës shtetërore është duke vazhduar, pavarësisht sfidave. “Besojmë se brenda vitit do t’i përfundojmë dy çështje të rëndësishme në administratën publike: organizimin e brendshëm të institucioneve dhe klasifikimin e vendeve të punës për nëpunësit civilë në mënyrë që të kalohet në sistemin e ri të pagave i cili do të bazohet në meritë dhe avancim”, theksoi Jagxhilar.

Në këtë kontekst, ministri Jagxhilar ka thënë se në fillim të vitit 2014 Republika e Kosovës do ta aplikojë sistemin e ri të pagave për të gjithë shërbyesit civilë. “Duke filluar nga viti i ardhshëm do të kalohet në sistemin e ri të pagave. Në përgjithësi do të zbatohen ligjet dhe rregulloret që kanë të bëjnë me shërbyesit civilë dhe pagat”, ka thënë Jagxhilar.

Sipas Jagxhilarit, MAP-ja është duke punuar për krijimin e një administrate publike transparente, efikase dhe moderne. “Tani për tani referoma është duke ndodhur në aspektin gjithëpërfshirës. Së pari jemi duke punuar që të krijohet një sistem efikas dhe transparentë. Po ashtu, jemi duke punuar në krijimin e teknologjisë informative moderne. Pas këtyre do të kalohet në sistemin e ri të pagave. Në këtë drejtim do të bëhen vlerësimet individuale dhe kolektive në mënyrë që të vazhdohet hartimi i strategjisë”, ka deklaruar Jagxhilar, duke shtuar se çdo vit do të plotësohet strategjia qeveritare për çështjen e reformës. “Aprovimi i planit të veprimit ka ndodhur me vonesë për shkak të disa rrethanave. Sigurisht tash do të ketë shtyrje të afateve, por reformat në administratë publike do të vazhdojnë. Çdo vit do të bëhen plotësime për sa i përket strategjisë dhe reformës në mënyrë që administrata publike të jetë moderne dhe me standarde evropiane”, ka thënë ministri Jagxhilar.

Ai ka hequr çdo dilemë për sa i përket prekjes së shërbyesve civilë nga reforma e administratës shtetërore. Ai ka thënë se MAP-ja nuk e ka në agjendë largimin e asnjë shërbyesi civil nga puna. “Nuk e kemi në agjendë ta bëjmë vlerësimin se a duhet të largohen njerëzit nga puna. Më shumë jemi fokusuar se si ta bëjmë administratën publike efikase dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. Po ashtu, jemi të fokusuar t’i zbatojmë ligjet në fuçi. Besoj se çdo vit ka përmirësim të performancës në administratë publike”, tha ministri Jagxhilar. /Telegrafi/