Intervistoi: Meri Veseli
Që të kuptosh se përse njerëzit i duan kaq shumë këngët e Sinan Vllasaliut, duhet ta takosh atë. Gjithmonë ka reflektuar butësi në zë po ashtu edhe në pamje. Duket se muzikën e ka në gjene gjë që do ta bënte të pa mundur që Sinani të merrte një drejtim tjetër në jetë.
Rrugëtimi yt me muzikën, ç’është më e bukura në profesionin e këngëtarit?
Më e bukura është kur ti e do profesionin që bënë. Ka shumë njerëz që diçka tjetër kanë profesion e diçka tjetër bëjnë. Unë i falënderohem Zotit që bëj profesionin që dua, për gjithë të mirat dhe që kam mundësi të mbaj familjen me profesionin që dua. Kjo më bënë që sinqerisht të jem i përkushtuar në muzikë.
Shumë vjet në skenë, shumë emocione, shumë përjetime, si ndihesh në kulmin e karrierës së suksesshme?
Po tash 30 vjet karrierë, por kjo nuk më ndalon të eci tutje, suksesi është edhe përgjegjësi më e madhe. Po të isha kënaqur me atë që kam arritur që në start, nuk do t’i kisha 30 vjet karrierë.
Një gjë që nuk i fali vetes është që nuk kam mbajtur ndonjë evidencë për vjetët në skenë, përjetimet, tërë ato emocione. Por nuk e kemi as në edukatë, as në kulturë, shprehi, quaje si të duash, të mbajmë shënime. Është një jetë e tërë me gjëra të mira e të këqija, periudhë e vështirë edhe për kombin, jo vetëm për mua si individ. Ishim gjeneratë e nëmur me aq shumë probleme. Por kemi ditur edhe t ë marrim përgjegjësi për veprimet tona. Kjo është ajo që duhet të bëjmë edhe tani, këtu, të marrim përgjegjësi për veprimet tona. Përgjegjësia është stadi i parë i vetëdijes.
Në kulmin e karrierës? Epo ndihem i lumtur, me sinqeritet kam punuar për të arritur deri këtu, e kjo është kënaqësi. Jam i lumtur.
A do të ishe i suksesshëm edhe në ndonjë profesion tjetër?
Suksesi varet nga karakteri i njeriut. Me karakterin që kam, them se po, sepse çdo punë që e bëj e bëj me përkushtim. Kur luaj futboll, dua të luaj mirë dhe jo keq. Dhe me shenjën e horoskopit që kam, dashi, që e karakterizon kokëfortësia (qeshet), do të kisha sukses edhe në ndonjë profesion tjetër.
Keni shumë hite, ke bashkëpunuar me kompozitor profesionist, sa i jep kjo vlerë këngës?
Qasja ime ndaj muzikës, tekstshkruesve, kompozitorëve, ka rezultuar me hite. Kërkesat e mia, vullneti, energjia ime për këngën kanë bërë hitet. Është sukses i përbashkët me të gjithë ata që kam bashkëpunuar. Nuk jam për stagnim, por jo edhe të dal jashtë vetvetes, nga muzika shqipe që unë e këndoj dhe e dua.
Jo çdo këngë është hit, publiku bënë përzgjedhjen. E imja është të bëj më të mirën në muzikën time, me gjithë përkushtimin dhe dashurinë që kam për këngën.
A kanë tekstet biografi?
Jo, por në çdo këngë njeriu gjen një segment të jetës së tij. Jo vetëm në këngët e mia por edhe në këngët e të tjerëve. Në këngën ‘krejt mbrapsht’, mund ta gjejnë veten shumë njerëz, unë, ti, të tjerët, në vargjet për njerëzit e natës, por në pjesë tjetër jo, nuk gjej biografin time aty.
Keni edhe disa duete, këngë të suksesshme, me Gilin, Eli Farën, Norën. I bëre se ishin në trend duetet, apo ishte një eksperiencë më shumë? Sa është sfidë të bësh një duet?
Pjesa më e vështirë në muzikë është dueti. Suksesi më i madh i këngëtarit është dueti. Është shumë mirë kur ia qëllon, katastrofë kur nuk ia qëllon. Sfida është tek ngjyrat e zërit, sa përshtaten, tonalitetet, dueti është bashkëdyzim i dy shpirtrave në muzikë. Secili duet që kam bërë ka të veçantën e vet, rëndësinë e vet në momentin e caktuar, në periudha të ndryshme.
Videoklipet tuaja kanë dhe artistiken në vetvete, sa janë të realizuara nga këndi yt, a do t’i bëje ndryshe, po t’i realizoje edhe njëherë?
Edhe ana vizuele është e rëndësishme, videoklipet janë të realizuara mirë. Nuk jam nga personat që i bëjnë të gjitha vet, që marrin komplet përgjegjësinë. Dy-tre mendime janë më mirë se një. Është edhe edukatë, kulturë, të marrësh edhe mendimin e të tjerëve. Kurrë nuk them, o si them unë, o s’ka. Nga natyra im nuk them, e arrita këtë dhe, stop. Jo, njeriu gjithmonë kërkon më të mirën në profesionin që e do.
A mendon se përmes këngës thuhen të gjitha?
Nganjëherë me një fjalë thuhet shumë, krejt varet se si e thua. Më beso, krejt po t’i mashtrosh, publikun nuk e mashtron dot. Vetëm po të jesh i sinqertë në muzikën tënde, me këngën nga shpirti mund të arrish deri tek zemra e tyre.
Por ka gjëra edhe që nuk i shpreh dot me fjalë, disa herë jemi munduar të bëjmë një këngë për nënën, i gjejmë fjalët më të mira në botë, por gjithmonë mungon edhe një fjalë, se nëna është personi më i dashur, në jetë, është një dashuri e pastër që lidh fëmijën me nënën, dashuria më e madhe e njeriut, është një lidhje e shenjtë…
Pra, jemi munduar të bëjmë një tekst për nënën dhe besoj ia dalim një ditë.
Këndon edhe në dasma, na e përshkruaj paksa atë atmosferë, sa po i ruajmë traditat duke u modernizuar?
Është atmosferë e bukur, ne dimë të bëjmë dasma të bukura, është një ditë e veçantë që ndahet me familje, me miq. Nuk jam kundër modernizimit, por ka disa elemente që nuk guxojnë me u prek në traditë, siç është veshja kombëtare e shumë gjëra të tjera. Do ta kisha bëtë me ligj të ruhen traditat tona, është gjynah mos me i bart tek gjeneratat e tjera. Kemi tradita të bukura.
Je ndër këngëtarët më të preferuar në diasporë, cila është ndjesia jote kur je atje?
Kam pasur fat që me vjet të tëra jam në diasporë, kam shumë miq, i dua shumë. Po të mos ishte diaspora, si do të mbijetonim gjithë këto vjet, para, gjatë, pas luftës. Edhe sot ekonominë e shtetit 65 përqind e mban diaspora. Por ne nuk gjejmë kohë, vullnet, dëshirë të krijojmë brenda Ministrisë së Kulturës një departament për diasporën. Të organizojmë festivale, teatro, koncerte, të gjejmë mënyra që t’i falënderojmë. E kemi edhe detyrë, obligim, është populli ynë.
Edhe unë ndihem si ata, ka gjenerata që janë rrit me këngët e mia.
E dua diasporën tonë.
Sa jemi origjinal në artin muzikor, kur ka aq shumë imitime? Me çfarë ke ruajtur origjinalitetin tënd?
Nuk di çka është origjinaliteti (e thotë me një buzëqeshje cinike). A jemi origjinal? Hiq! (qeshet).
Jam i sinqertë në artin tim, jam vetvetja, kur shoh në pasqyrë njeriun karshi meje dua t’i kem llogaritë pastër me të, secili fajtorin duhet të kërkoj brenda vetes.
Po opinioni yt për estradën…?
Estrada! Një gjellë pa kripë, shumë, shumë pa kripë. Në estradë ke këngëtarë që janë shumë të mirë dhe ke nga ata që kanë hyrë në derën e gabuar.
Sa është e lehtë të arrish famën dhe sa është e vështirë ta mbash?
Unë punoj, djersitem. Nuk i kam dhënë trupin, as pamjen muzikës për famë, i kam dhënë shpirtin që e do muzikën.
Me çka krenohesh?
Me atë se jam shqiptar, me vajzën, me familjen, mbi të gjitha që jam shqiptar.
Cili është suksesi yt më i madh në jetë?
Nuk e kam arritur ende.
Si i merr kritikat, po lëvdatat, sa të bëjnë përshtypje?
S’ka më mirë se lëvdata, lulja, duartrokitjet, është ushqim shpirtëror për këngëtarin, është kënaqësi.
E kritikat, varet kush i thotë. Gënjen ai që thotë, jo unë nuk e kam problem kritikën. Nëse kritika bazohet në argumente, është e mirë, ndihmon të përparosh, të ecësh përpara. Por kritika pa bazë është turp, duhet njerëzit të kenë etikë profesionale, njerëzore. Nëse flasim me inate personale, nuk është njerëzore, është keq, është mëkat.
Ka ndodhur të pendohesh ndonjëherë gjatë karrierës, me gjithë vitet e suksesshme në skenë?
Jo! Nuk jam penduar. Nuk ka dy standarde. Je, ose nuk je për muzikë. E do këngën, ose nuk e do. Nuk jam personi që pendohet, sepse i mendoj gjërat para se t’i bëj dhe marrë përgjegjësi për ato që bëj.
Po ndonjë ambicie tjetër që nuk e ke realizuar deri tani?
Të bëj një këngë për Nënë Terezën.
Kur do të thoshe se e ke arritur kulminacionin në muzikë, me ambiciet që ke?
Gjithmonë kërkoj shumë nga vetja, mbase ky është stimulimi që shkoj tutje. Vetëm them se kulmin nuk e kam arritur ende.
Ka shumë thashetheme për estradën, të bënë për to…
Kur ke 70 për qind të popullit pa punë, nuk kanë çka bëjnë përveç thashethemeve, por edhe 30 përqindëshi tjetër nuk bëjnë punën e tyre, por merren me të tjerët. Nuk më bënë për to. Nuk kam kohë të merrem me budallallëqe, absolutisht, kam punë më të mençura.
Je i realizuar në skenë, sa ndihesh i realizuar në jetën private?
Po, në skenë ndihem i realizuar, por në jetën private më pak, shumë më pak. Realizimin në skenë e ka vuajtur familja me mungesën time, por njëkohësisht edhe unë kam ndjerë mungesën e familjes. Natyra e profesionit bënë të jesh i etur me qenë më shumë me familje. Të kesh kohë më shumë që të realizosh më shumë me familjen, ku ti gjen dashurinë, harmoninë, këndin e qetësisë.
Ka ende dashuri të sinqertë apo është materializuar?
Po, ka dashuri të sinqertë, është e pamundur të mos ketë. Por duhet kuptuar edhe zhvillimet globale, teknologjinë që ecën shumë shpejt. Por jo edhe të materializojmë dashurinë. Çfarë na mbetet atëherë?
Pasioni, a mund ta mbajmë edhe me ikjen e viteve?
Mundemi, si nuk mundemi. Vetëm duket imagjinatë. Pasioni është armë për gjithçka, edhe në dashuri, është aftësia për të zbuluar gjëra të reja. Nuk kalon pasioni me vitet nëse don ta mbash, dëshiron ta mbash.
Pra, je edhe romantik?
Varet nga momentet. Bie borë dhe ndodh e dua, por mundet edhe të mos jem në valët e romantikës dhe nuk e dua. Apo perëndimi i diellit, ka çaste kur e dua, e përjetoj, ka çaste kur nuk kam kohë.
Por, jam romantik, pse jo.
Jam i mishëruar me natyrën, i dua shëtitjet në natyrë. Nëse din ta duash natyrën edhe ajo din të të kthej dashurinë, nuk e merr dot me mend sa është ndjesi e veçantë, është kur natyra të përkëdhel, të merr me vete…
Për çfarë ndjen nostalgji?
Për fëmijërinë, për festat, kohë kur ishte e mundur me qenë gjithë familja bashkë për festat e Vitit të Ri, festat fetare, kohë që nuk është më.
Nga e gjithë kjo, sikur ke një temperament të qetë, porse dashi në horoskop ka temperament eksploziv. Ju reflektoni energji pozitive, optimizëm…
Kur e di se deshët janë ideal, pse po më pyet (qeshet). Nuk është ari krejt çka shkëlqen. Jam natyrë eksplozive, jam temperament, sidomos kur bëhet fjalë për padrejtësitë, ndihem keq dhe eksplodoj. Jo, nuk jam natyrë e qetë. Po, temperamenti është plot energji pozitive, elan, optimizëm…
Çfarë do t’u thuash adhuruesve që i ke të shumtë?
I dua shumë të gjithë fansat e këngës time, i dua kudo që janë, një përshëndetje për të gjithë. Më vjen keq për ata që nuk kanë mundësi të vijnë kur këndoj nëpër Kosovë, kjo politikë e djallëzuar nuk po mendon për gjendjen sociale.
Një befasi e bukur nga unë për të gjithë fansat: Për herë të parë do të mbaj një koncert në Prishtinë, në stadium. Me vite e kisha në plan, por mungonin kushtet teknike, por këtë vit do ta mbaj, do të jetë koncert me orkestër të madhe, disa mysafirë.
/Telegrafi/