LAJMI I FUNDIT:

Shtyrja e privatizimit (nuk) ia rrit vlerën PTK-së

Shtyrja e privatizimit (nuk) ia rrit vlerën PTK-së

Shtyrja e serishme e afatit për privatizimin e PTK-së po komentohet në mënyra të ndryshme. Përderisa sekretari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi dakordohet me Ministrin Besim Beçaj se shtyrja është e pranueshme në interes të rritjes së vlerës, opozita mendon se me shtyrje do t’i ulet vlera kompanisë.

Në arsyetimin e Kryesuesit të Komitetit për Privatizimin e PTK-së, Ministrit Besim Beçaj u tha se qëllimi është rritja e vlerës. “Arsyeja është të kemi oferta sa më të larta”, theksoi ai.

Por, opozita mendon ndryshe. Deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija thotë se shtyrja nuk është e dobishme. “Çdo herë e më tepër me çdo shtyrje vlera e PTK ulet gjithnjë e më tepër”, tha ajo për Radio Kosovën.

Vetëvendosje mbetet me qëndrim kundër privatizimit. Megjithëkëtë, deputeti Visar Ymeri e komentoi shtyrjen duke thënë se kjo do ta ulë edhe më shumë vlerën reale.

“Këto shtyrje të afatit po tregojnë qartë që pazari që qeveria e Kosovës do të arrijë për këtë ndërmarrje do të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm për Kosovën për shkak se do të jetë një çmim jashtëzakonisht i ultë”, tha ai.

Nga ana e tij, për sekretarin e Odës Ekonomike, Berat Rukiqi shtyrjet në këtë proces mund të jenë të pranueshme. “Ku ka kërkesa të arsyeshme dhe ligjore mund të shqyrtohet ky aspekt, sidomos nëse janë pjesa më e madhe e kompanive në garë që e kërkojnë këtë”, tha Rukiqi

Afati për dorëzimin e ofertave për privatizimin e PTK-së për këtë vit ishte 15 janari, pastaj u shty për dy javë dhe tani së fundi deri më 14 mars. Ministri Beçaj premtoi se kjo do të jetë shtyrja e fundit. /Telegrafi/