Shtatë bashkitë ku nuk ka përfunduar numërimi i votave

Në Tiranë procesi po shkon drejt finalizimit ndërsa deri tani mësohet se ka përfunduar numërimi në rreth 95 për qind të kutive të votimit, ndërsa mbeten dhe 35 kuti për t’u numëruar. Kandidati i majtë Erjon Veliaj ka kryesuar bindshëm gjatë gjithë kohës kundrejt rivalit demokrat, Halim Kosova, dhe aktualisht diferenca mes tyre është rreth 41 mijë vota.
Në Durrës, janë numëruar deri tani rreth 67 për qind e votave ndërsa bie në sy epërsia e Vangjush Dakos, kandidati i ASHE-së, i cili udhëheq rezultatin me 10 mijë vota diferencë kundrejt kandidates së APPD-së, Grida Duma.
Në Shkodër, procesi i numërimit është më i vonuar dhe deri tani rezultojnë të numëruara vetëm 45 për qind e kutive të votimit. Kandidatja e koalicionit të djathtë Voltana Ademi deri tani ka marrë 27 mijë vota, ndërsa kandidatja e majtë Keti Bazhdari ka siguruar 19 mijë vota. Dhe këtu bie në sy diferenca e thel lë mes dy kandidateve, ndonëse mbeten për t’u numëruar gjysma e kutive të votimit.
Në bashkinë Kamëz janë numëruar deri tani rreth 70 për qind e votave dhe rezultati është i ngushtë mes kandidatit Xhelal Mziu të APPD-së dhe Safet Gjicit të ASHE-së. Kandidati Mziu kryeson deri tani me rreth 1300 vota. Në Berat kanë mbetur 15 kuti për t’u numëruar, por ky proces u ndërpre pak para mesnate, për të rinisur mëngjesin e sotëm. Edhe në këtë bashki kryeson rezultatin kandidati i ASHE-së, Petrit Sinaj, i cili është në avantazh me 1600 vota kundrejt kandidatit të djathtë Kasem Mahmutaj.
Rreth 70 për qind e votave janë numëruar edhe në bashkinë Krujë, ku sërish kryesues i rezultatit është kandidati i majtë, Artur Bushi me rreth dy mijë vota më shumë se rivali demokrat, Hamdi Pasha.
Një tjetër bashki ku procesi i numërimit ka ecur më ngadalë është ajo e Malësisë së Madhe, ku deri në orët e para të mëngjesit janë numëruar rreth 45 për qind e votave, ndërsa rezultatin e udhëheq ngushtë kandidati i majtë Tonin Marinaj, me rreth 300 vota avantazh. /Telegrafi/



















































