Ka dështuar në arratisjen e tretë nga burgu ku vuante dënimin në Gjermani shqiptari Taulant Toma.

Mediat gjermane raportojnë se shqiptari, 32-vjeçar, etiketuar si kriminel i rrezikshëm, u kap teksa tentonte arratinë nga burgu, ndihmuar nga dy persona të armatosur që e prisnin jashtë.


“Ai u ndalua në kohë dhe kjo tregoi që siguria në burg ka funksionuar më së miri”, kanë thënë autoritetet e burgut, cituar nga mediat lokale.

Kjo ishte arratisja e tretë e Tomës, i cili kishte mundur më herët t’i shpëtonte izolimit në një burg në Itali dhe në vitin 2013 një burgu në Belgjikë.

Por duket se këtë herë, jo gjithçka i shkoi sipas parashikimit, pasi u pikas në kohë. Policia vuri në pranga një nga bashkëpunëtorët e tij dhe po kërkon edhe për të tjerë ndihmës së shqiptarit.

Nga hetimet e para, mediat, referuar policisë, thonë se ai do të ndihmohej nga një helikopter për t’u arratisur nga burgu, përcjell Panorama.

Në një nga arratisjet, ai u ndihmua nga disa të burgosur, që formuan piramidë, njëri mbi tjetrin, ai kërceu sipër tyre, deri në çatinë e burgut dhe prej andej në liri.