LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët në Shqipëri gjatë karantinës shpenzuan 54 milionë euro më pak në kafene dhe restorante

Qytetarët në Shqipëri gjatë karantinës shpenzuan 54 milionë euro më pak në kafene dhe restorante

Kafet dhe restorantet ishin të mbyllura për gati tre muaj, nga mesi i marsit deri në mesin e muajt maj, duke i detyruar shqiptarët të heqin dorë nga një ritual i përditshëm.

Teksa karantina detyroi shumëkënd që të rrinte në shtëpi, edhe shpenzimet për bare e restorante ranë në mënyrë drastike.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve të aktivitetit “Bar-restorante” ra me 55 për qind në tremujorin e dytë, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-së. Në tremujorin e dytë 2019, ky indeks ishte rritur rreth 4 për qind me bazë vjetore.

INSTAT raporton se mesatarisht, aktiviteti i bareve e restoranteve qarkullon rreth 375 milionë euro deri 390 milionë euro në vit, sipas të ardhurave gjithsej raportuar në “Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve 2018” dhe volumit të rritjes prej rreth 4 për qind në 2019-në. Mesatarisht çdo tremujor, shqiptarët shpenzojnë në kohë normale në bare e restorante rreth 95 milionë euro deri 97 milionë euro. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, në kulmin e karantinës rezulton të jetë shpenzuar rreth 54 milionë euro më pak për ritualin e përditshëm të kafesë, ose konsumit të pijeve e produkteve ushqimore nëpër restorante.

Mbyllja e bareve dhe restoranteve ndikoi negativisht dhe në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT shkurtimet më të mëdha nga puna janë aplikuar nga sektori i bareve dhe restoranteve ku raportohet rënie e indeksit të punësimit më 31.8 për qind, e pasuar nga hotelet më 20.2 për qind dhe fabrikat me 12.8 për qind, në sektorin e akomodimit ushqimor (ku përfshihen baret e restorantet) ishin të punësuar rreth 50 mijë punonjës. Një rënie me rreth 32 ë e punësimit ka nxjerrë përkohësisht nga tregu i punës rreth 16 mijë persona.

Kafenetë dhe restorantet përbëjnë 16 për qind të totalit të ndërmarrjeve në ekonomi.

Sipas INSTAT, i cili publikon konsumin final të familjeve sipas grupeve kryesore, në 2018-në, viti i fundit kur janë në dispozicion të dhënat, shpenzimet totale për grupin e bare restorante e hotele ishin rreth 385 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke u rritur me 11 ë në raport me vitin e mëparshëm.

Shpenzimet për kafene, restorante dhe hotele përbëjnë 3.7 për qind të konsumit gjithsej. Shqiptarët shpenzojnë për kafe e restorante e hotele, më shumë sesa për arsimin, apo për pije e duhan.

Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat e Eurostat mbi numrin e aktiviteteve të shërbimit të pijeve dhe numrit të popullsisë, numri i bareve në Bashkimin Evropian në vitin 2017 nuk ishte më i lartë se 115 bare për çdo 100 mijë banorë. /Telegrafi/