Shqipëria, sfida e vështirë e Ronaldos

Shqipëria zhvilloi një ndeshje të madhe, jo sepse shkëlqeu, apo se dominoi në fushë, por sepse bëri atë që nuk e kishte bërë për shumë vite: të shkonte në një fushë kundërshtare dhe në një situatë delikate të merrte atë që i duhej.
Dikur kemi humbur keqazi edhe me Luksemburgun dhe jemi kthyer në shtëpi të dëshpëruar, ndërsa dje morëm një pikë që na vulosi “play off”-in dhe na hoqi makthet e pjesës së dytë të sezonit.
Shqipëria sot ka një skuadër me alternativa, por mbi të gjitha ka një skuadër që realisht beson te forcat e veta. Qartazi lojtarët tanë nuk ishin në formën optimale dhe në mbrojtje mungonin dy kolosë si Mavraj dhe Hysaj, por kuqezinjtë si kurrë më parë arrijnë të përballojnë me sukses edhe mungesa të këtij kalibri.
Ndërkohë, mund të thuhet pa frikë se është luks i madh të kesh në stol futbollistë të kalibrit të Kaçes, Roshit, Memushajt apo Balajt. E të mendosh se është gati e pabesueshme që jashtë listës ishin dy artistë të topit si Rama dhe Meha, shkruan “Panorama Sport”.
Kjo është Shqipëria e mbushur me besim dhe e rrethuar me një dashuri të pakufishme nga mijëra tifozë që e ndjekin edhe në tokat e vikingëve duke ia “shtruar” gjithnjë e më shumë tapetin me ngjyra kuqezi në çdo vend ku shkelin.
Tani është radha e Ronaldos që të vuajë. Nëse nuk thyhemi sërish, atëherë ky brez do të pagëzohej si skuadra e mrekullive. /Telegrafi/



















































