Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë njoftoi për 16 raste të reja me COVID-19 duke e çuar numrin e të prekurve në 377. Po ashtu, në 24 orët e fundit janë shëruar 12 pacientë, ndërsa numri total i të shëruarëve është 116.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, informoi se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar, 5 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 73 pacientë.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente në të gjithë Shqipërinë janë testuar 2571 raste të dyshuara d he prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 377 raste. Janë testuar gjatë 24 orëve të fundit gjithashtu 11 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të gjithë negativë nga COVID-19. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 21 qytetarë, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor për të shpëtuar jetën e tyre. Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarëve, duke e çuar numrin e të shëruarëve nga COVID-19 në 116. Pra rreth 30% e të prekurve deri tani rezultojnë të shëruar”, deklaroi Rakacolli në komunikimin e përditshëm.

Harta e të prekurve nga COVID-19 në Shqipëri zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Has, Berat dhe Shkodër.

Rakacolli tha se ka një rritje të numrit të rasteve kryesisht në Shkodër, Tiranë dhe Has, që tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë në komunikimet publike.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon: Tiranë 177 raste që është qyteti me numrin më të lartë të të prekurve, Durrës 38 raste, Lushnje 5 raste, Elbasan 10 raste, Fier 26 raste, Kavajë 8 raste, Rrogozhinë 4 raste, Korçë 16 raste, Vlorë 5 raste, Shkodër 44 raste, Lezhë 14 raste, Berat 2 rast, Has 12 raste, Krujë 5 raste, Tropojë 4 raste, Pukë 4 raste dhe Mirditë 3 raste”, vijoi Racakolli.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, tha se siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.