Shpëton djaloshi, të cilit shtiza ia shpoi trurin (video)

Djaloshi u godit më tetë qershor, derisa ishte duke notuar në një liqen pranë shtëpisë së tij në Miami, kur shoku i tij hodhi shtizën nga harku.
Mjekët e Spitalit "Jackson Memorial" në Miami kanë konstatuar se një shtizë e gjatë 90 centimetra ka depërtuar nëpër trurin e djaloshit Lopez, mbi syrin e tij të djathtë, duke ia shpuar tërësisht kokën.
Operacioni për shpëtimin e jetës së tij zgjati tri orë, kurse Lopez tashmë ec dhe flet. Mjekët thonë se ai ka qenë në gjendje tronditjeje, por me vetëdije kur ka mbërritur në spital.
Pasi i kanë dhënë barëra për qetësim, një pjesë e shtizës prej çeliku duhej të thyhej me një prerës mekanik, që të mund të skanonin kokën e tij.
Mjekët kanë thënë se Lopezit nuk i kujtohet ngjarja tragjike. Edhe pse nuk dinë se cili është dëmtimi që ka shkaktuar shtiza për kujtesën e djaloshit dhe pjesët e tjera të trurit, mjekët thonë se gjendja e tij ka mundur të jetë shumë më keq.
Shtiza ka shpuar anën e djathtë të trurit, por pa prekur pjesët që kryejnë funksionin e të folurit dhe funksione të tjera të rëndësishme.
“Është e çuditshme se si shtiza nuk ka prekur arteriet kryesore të gjakut në tru”, ka thënë neurokirurgu Ross Bullock. /Telegrafi/
















































