Site icon Telegrafi

Shpat Kasapi tregon të vërtetën rreth vajzës që simpatizon aq shumë

Ku është Shpati këto ditë, çfarë po bën?

Shpati: Aktualisht po punoj në disa projekte. Po bëj disa këngë të reja, dhe po bëhem gati për një video klip që do të shoqërojë një nga këto këngë. Video klipi do të punohet në Shkup, dhe besoj se do të dalë i bukur. Për lokacionet nuk kemi vendosur ende, por gjithsesi në Shkup do të bëhet. Risi në këtë rast është një potpuri këngësh me Rovena Stefën.

Jeni i zënë me projektet e Vitit të Ri, si duket agjenda e juaj këtë fundvit?

Shpati: Kam mjaft incizime, kam shumë punë, disa i kam mbaruar shumë të tjera ende po i vazhdoj. Kam kryer incizimet kryesisht tek programet e produksioneve në Kosovë, po ashtu edhe tek programet e Vitit të Ri në disa televizione.

Përveç muzikës, keni ndonjë angazhim tjetër?

Shpati: Po, jam student në fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Shkupit. Por angazhime të tjera, si ndonjë punë të përhershme nuk kam. I përkushtohem shumë muzikës, mbase 100%.

Këngët e juaja zakonisht po bëhen hit, me kë bashkëpunon, kush i shkruan tekstet, kush e bën muzikën?

Shpati: Po ka shumë personazh me të cilët punoj bashkë. Shembull së fundi këngët e mia i kanë bërë Ejup Shabani e Fatmir Muja, ndërsa dy këngë tjera nga Avni Qahili me të cilin punoj më shpesh. Ndërsa kohëve të fundit po bashkëpunoj me një kompozitor maqedonas, i quajtur Gabrovksi.

Ku mendoni se qëndron çelësi i këtij suksesi?

Shpati: Thjesht është modestia ime, përkushtimi, përgjegjësia ndaj profesionit me të cilin merrem. Por padyshim që këtu ndikon shumë edhe dhuntia e natyrës, si zëri apo looku i cili kohëve të fundit luan një rol shumë të rëndësishëm.

Jeni në lidhje dashurie me një vajzë miss në Shqipëri, si jeni njohur me të?

Shpati: Në fakt me vajzën nuk jam ende në lidhje, por kemi një simpati të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Ajo nuk është nga Shqipëria por nga Mali i Zi. Quhet Afërdita Dreshaj, por në Shqipëri jemi parë duke qëndruar bashkë në kafe, dhe janë folur fjalë që jemi në lidhje, por nuk është e vërtet lidhje dashurie mes nesh ende nuk ka. Por kjo nuk do të thotë që një ditë nuk do të ketë, sepse është e vërtet që kemi të dy simpati mes njëri-tjetrit.

Por ju jeni shpesh me të dhe mediat kanë folur shumë…

Shpati: Po jam parë me të është e vërtet, por ja që doli se mediat nuk godasin gjithmonë. Edhe gazetarët gabojnë dhe kanë gabuar nëse e kanë cilësuar lidhjen si të tillë, pa qenë ende.

Jeni në kontakt me këtë vajzë?

Shpati: Po ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të shpeshtë.

Çfarë çmoni më tepër tek ajo, thjesht bukurinë apo ndonjë dhunti tjetër?

Shpati: Po tek ajo më pëlqejnë shumë tipare ndoshta të fshehta që unë kam zbuluar gjatë qëndrimit me të. Më pëlqen modestia e saj, sinqeriteti, zemërbutësia por natyrisht edhe bukuria e veçantë që ajo ka. Por sërish them se gjithë kjo simpati nuk do të thotë që mund të konsiderohet lidhje dashurie. Sigurisht do të më pëlqente shume të ishte tamam e tillë, por ende nuk quhemi tamam të tillë.

Si është një ditë e juaja, duke filluar nga ora e zgjimit, deri në orët e vona të natës?

Shpati: Pas kafes së mëngjesit, unë shkoj në leksione në fakultet ku kaloj një pjesë të mirë të ditës. Pastaj dal me shokët për kafe, apo për të luajtur ndonjë lojë Play Station. Ndërsa pjesa tjetër e ditës mbetet për angazhimet e tjera në muzikë.

Qëndroni shumë në lokale, preferoni jetën e natës?

Shpati: Dal shumë rrallë. Nuk është se nuk preferoj të dal, por nuk kam shumë kohë, kam shumë angazhime. Por edhe ruhem që të mos jem gjithkund, në një mënyrë të mos imponohem të mos jem shumë i dukshëm.

Merreni me sport, apo ndonjë aktivitet tjetër, kur keni kohë të lirë?

Shpati: Shumë shpesh luaj basketboll me shokët, por preferoj shumë edhe fitnesin.

Lexoni shumë, dhe çfarë ju pëlqen më shumë?

Shpati: Unë lexoj kur kam kohë të lirë. Kam literaturën e detyrueshme për fakultet, por preferoj të lexoj etikë qytetare, libra të ndryshëm nga arti.

Me kë konsultohesh për lookun tënd, kush kujdeset për veshjet e tua?

Shpati: Konsultohem me një profesionist siç është Armendi. Ai përkujdeset për lookun tim. Edhe në këtë pikë ka shumë rëndësi profesionalizmi, dhe Armendi është i tillë.

Shpati është një djalë i dëgjueshëm për prindër dhe mjaft besimtar, është kjo rezultat i një kulture familjare apo ka ndikuar diçka tjetër në këtë aspekt?

Shpati: Po tek unë padyshim që ka ndikuar kultura familjare dhe edukimi. Por karakteri krijohet me kohë sipas përvojës jetësore. Nuk mund të them saktë se ka pasur një faktor tjetër që ka ndikuar tek karakteri im pos kulturës familjare.

Ndërsa po flasim ju sapo keni dalë nga xhamia…

Shpati: Po unë jam shumë besimtar, dhe e ndjej për obligim të jem i tillë. Kjo gjë më bën të ndihem më mirë.

Çfarë ju shtyn të bëheni besimtar i devotshëm?

Shpati: Frika nga zoti, dëshira për të bërë gjëra të mira. Falja dhe përkushtimi ndaj besimit është një lloj disipline që kam krijuar në jetën time. Mund të them se është një disiplinë e përkryer, që e mbush karakterin tim, e forcon atë, por jo vetëm mua. Besimi e forcon çdo njeri.

Është Shpati djalë shtëpiak, për t’i ardhur në ndihmë prindërve kur ata kanë ndonjë nevojë?

Shpati: Jam i dëgjueshëm për ta.

Po të mos ishe këngëtar, ku do ta shihnim Shpatin sot?

Shpati: Do të isha ose në ndonjë fushë tjetër arti, gjë për të cilën unë besoj se kam talent, ose do të isha një sportist, më saktësisht një basketbollist i mirë.

Exit mobile version