Site icon Telegrafi

Shpalosja e bukurive të fshehura

Blend dhe Arb Sefaj mezi kanë pritur të ktheheshin të premten nga shkolla në shtëpi. Blendi, nxënës i klasës së katërt, e Arbi i të parës, në shkollën “Lidhja e Pejës” në fshatin Novosellë të Pejës, ua kanë treguar krenueshëm familjarëve librezat e mbushura me pesëshe.

“Si nxënës shembullorë meritonin nga një dhuratë”, thekson gjyshi Avdi Sefaj (74), që vetë kishte punuar për 45 vjet si mësues në shkollën e fshatit.

“Prandaj vendosëm me plakën dhe djalin t’i sillnim për vizitë në Shpellën e Radacit”, shton plaku flokëthinjur, teksa gjarpëron shtegut malor sipër ujëvarës së Drinit të Bardhë para se të mbërrijë te porta e hekurt e shpellës, shkruan “Koha Ditore”.

Nuk është hera e parë që Sefaj do të futet në shpellë. Kishte hyrë në moshë rinore me bashkëmoshatarë.

“Kam hyrë edhe nja dy-tri herë të tjera. Hynim me goma që i ndiznim për ndriçim”, kthehet nja pesëdhjetë vjet në kohë Sefaj, duke u qeshur. Rrëfimin e tij e dëgjojnë me vëmendje nipat. Sefaj atëherë nuk e kishte parë shumicën prej bukurive shpellore. Tani do të shikojë ngadalë nën ndriçimin e reflektorëve të gjitha bukuritë me shpjegimin e cicerones.

Exit mobile version