Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Organizatave Jo-Qeveritare, me ç’rast njoftoi se në kuadër të Planit për Rritje që përfshinë vendet e Ballkanit Perëndimor Kosova mund të përfitoj nga 880 milionë eurot që janë në dispozicion.
Në shënimin e kësaj dite morën pjesë përfaqësues të 20 OJQ-ve të cilat janë përfituese të granteve të Bashkimit Evropian gjatë vitit 2024.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovës, Aivo Orav deklaroi se për BE-në një shoqëri civile aktive është komponent thelbësor i çdo demokracie.
Sipas tij vendimi befasues i administratës amerikane për të ndërprerë fondet në mbarë botën ka ndikuar edhe në sektorin e OJQ-ve në Kosovë.
Në këtë drejtim, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav si shqetësim ngriti edhe varësinë e OJQ-ve nga donatorët, për çka u shpreh se beson se kjo sfidë të mund të adresohet me strategjinë e ardhshme të Qeverisë për bashkëpunim me shoqërinë civile 2025-2029.
“Jam i vetëdijshëm se vendimi befasues i administratës amerikane për të pezulluar ndihma shumë të nevojshme për Kosovën dhe vende tjera të botës ka pasur ndikim jashtëzakonisht të madh në programet që ofron sektori i OJQ-ve që vepron në Kosovës. Mirëpo, ky vendim ka nxjerr në pah për ne një problem të natyrës afatgjate që për ne është varësia e OJQ nga donatorët. Shpresoj shumë që kjo sfidë të trajtohet me strategjinë e ardhshme e Qeverisë për bashkëpunimin me shoqërinë civile 2025-2029. Nga pikëpamja e BE dua të ritheksoj se puna e juaj mbete shumë me rëndësi për ne, për të ardhmen evropiane të Kosovë dhe më rëndësishmja për demokracinë e Kosovës”, theksoi ai.
Duke theksuar mbështetjen që Bashkimi Evropian i ka dhënë dhe do të vazhdoj t’i jap Kosovë në rrugëtimin e saj drejtë BE-së, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë u shpreh Kosova përmes Planit për Rritje do të mund të përfitoj nga 880 milionë euro.
“BE është partneri më i madh i Kosovës për tregti, por edhe investitori më i madh i ndihmës financiare. BE do të vazhdoj të mbështes Kosovën në procesin e saj të reformave dhe në rrugën drejtë BE-së. Për këtë arsye ne kemi paraqitur Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor , ku Kosovës i jepet mundësia për të përfituar nga 880 milionë euro, ky është një numër i madh, për qëllimi është të mbulohet rritja e vendit dhe gjithashtu duhet të thuhet që si pjesë e planit kemi edhe konsultimet me aktorët e jashtë duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile”, u shpreh Orav.
Udhëheqës i ekipit në njësinë e bashkëpunimit pranë Zyrës së BE-në në Kosovë, Olivier Boudart shpalosi disa nga programet përmes të cilave kanë përfituar organizatat dhe mediet në Kosovë.
“18 nga këto organizata apo më mirë të them nga këto kontrata janë nënshkruara me organizata kosovare, duke përfshirë 3 në sektorin e mediave, që është e jashtëzakonshme dhe e përshkruan në kapaciteteve OSHC-ve dhe medieve për t’i dal ndesh kërkesave tona në thirrje për propozime. Kjo ka rëndësi kur e dimë se dhe 17 organizata të tjera kanë lidhur partneritetin me programet tona duke na ndihmuar që të arrijmë tek komunitetet në nivelin bazë. Kemi nënshkruar 16 kontrata për pak më shumë se 4.8 milionë euro me programin për OSHC dhe mediat në janar kemi kontrata në vlerë 1.2 milionë euro përmes instrumentit evropian për demokraci dhe të drejtat e njeriut. Këto dy linja buxhetore tematike janë instrumentet kryesore me anë të të cilave BE ofron mbështetje financiare OSHC dhe medieve në Kosovë. Dua të përmend edhe një mekanizëm tjetër Fondacioni Evropian për Demokraci që është shumë aktiv në Kosovë dhe financohet në masë të madhe nga BE”, u shpreh ai, njofton KosovaPress.
Këtë aktivitet për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të OJQ-ve e vazhdoi edhe me një panel ku u ngritën shqetësimet dhe u dhanë edhe shifra për humbjet që ka pësuar sektori i shoqërisë civile në Kosovë pas pezullimit të fondeve të USAID-it nga administrata amerikane, për çka u kërkua nga Bashkimi Evropian të jetë mburojë edhe OJQ-ve në Kosovë.
Dren Puka nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile u shpreh se BE mbetet përkrahësi më i madh për zhvillimin e demokracisë në Kosovës.
“BE mbetet përkrahësi më i madh dhe kryesor ndër vite dhe aktualisht për zhvillimin e demokracisë në vend dhe në këtë pikë më e rëndësishme si asnjëherë më parë është që dialogu me shoqërinë civile dhe gjithë akterët për tejkalim të kësaj situate të vazhdoj…të shtyj po ashtu edhe Qeverinë fatkeqësisht që të bëjë përpjekje më të mëdha për t’i përkrah sferat më të ndikuara.. Për Zyrën e BE dhe në Bruksel përfshirje sistematike edhe shumë më e madhe e shoqërisë civile në gjithë procesin e integrimit evropian”, theksoi ai.
Drejtoresha për Programe në Rrjetin e Grave të Kosovës, Nicola Farnsworth duke theksuar se granti i BE-së për këtë organizatë ka ardhur në një moment e përkryer pas tërheqjes të fondeve amerikane.
Ajo tregoi se përmes grantit të Bashkimit Evropian do të ofrojnë shërbime për grupet e margjinalizuara duke i vetëdijësuar ata për qasjen në të drejta.
“Por ajo që na ngazëllen është përmbajtja për ofrimin e shërbimeve dhe ndihmës sociale që ka për synim të arrij deri tek personat më të margjinalizuar në Kosovë. Punojmë ngushtë me organizatën për personat me distrofi muskulore dhe organizata të tjera për të treguar se si mund të ofrohen më shumë shërbime veçanërisht pas bashkimit të ministrisë së Punës dhe Financave dhe mos dijes të qytetarëve se si t’i realizojnë qasjen në shërbime dhe si të ngrisin zërin për mohimin e qasjes në të drejta”, tha ajo.
Kreshnik Gashi nga BIRN, kërkoi që Bashkimi Evropian të bëhet mburojë e shoqërisë civile pas sulmeve që ky sektor po pëson në rajon.
Gashi kërkoi edhe strategji afatgjate dhe hapa konkret edhe nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës pas situatës së krijuar nga tërheqja e fondeve amerikane.
“Bashkimi Evropian mu vendos si mburoja për organizatat e shoqërisë civile ndaj sulmeve të cilat tashmë veç kanë nis prej politikanëve totalitar dhe të korruptuar ndaj shoqërisë civile në krejt rajonin e Ballkanit. Është shumë me rëndësi që BE me pas mesazh të qartë se dëmtimi i kredibilitetit të shoqërisë civile..mos me lejua që nën supozimin e një mesazhi që ka ardhur nga SHBA me lejua me dëmtua kredibilitetin e organizatave partnereve të BE, mbrojtja prej Bashkimit Evropian për organizatat të cilat janë për momentin duke u sulmuar, mbrojtja e BE-së për aktivistë të shoqërisë civile të cilët janë duke u sulmuar në rajonin e Ballkanit duhet me qenë e ashpër dhe duhet me qenë shumë konkrete dhe shumë sinjal i qartë se në rast se synohet dëmtimit i kredibilitetit të shoqërisë civile EU nuk do të rri në gjumë”, deklaroi Gashi.