Site icon Telegrafi

Shkëlqimi i Redon Ismailit në vitin 2023: Ofertat nga shumë skuadra, qëndrimi te Gjilani dhe paraqitja fantastike ndaj Prishtinës

Redon Ismaili mund të quhet padyshim zbulimi i Gjilanit në vitin 2023, duke luajtur të gjitha ndeshjet nga janari e deri më tani.

Mesfushori i talentuar gjilanas në vjeshtë ishte i huazuar te Vllaznia e Pozhoranit, por ai u rikthye në janar dhe që nga ajo kohë ka shkëlqyer me fanellën e Gjilanit, duke zënë vend menjëherë në formacionin bazë.

Gjilani përjetoi një muaj shumë të vështirë pas largimit të presidentit Florim Zuka, derisa rrugën e ‘Talit’ e ndoqën thuajse 90% e skuadrës përfshirë edhe trajnerin Klodian Duro.

Duke marrë parasysh se kishte shkëlqyer në pranverë me Gjilanin, Ismaili i vërshua nga ofertat, pasi thuajse të gjitha skuadrat nga Superliga kërkuan transferimin e tij.

Ai kishte vendosur të mbetej te Gjilani deri në fund për të parë se si po ecin gjërat në klub.

“Kam pasur shumë oferta gjatë kësaj kohe. Kanë qenë tetë nëntë skuadra kosovare që kanë shprehur interesim, por edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Gjithsesi deri në fund doja të mbetesha te Gjilani për faktin se më interesonte të dija të ardhmen e klubit”.

“Jam i lumtur që më në fund gjithçka u rregullua me klubin dhe tani kam qëndruar së bashku me disa nga shokët e skuadrës për t’i mbetur besnik Gjilanit”, tha Ismaili për Telegrafin.

20-vjeçari ishte lider i Gjilanit në barazimin e madh që arritën ndaj Prishtinës 0-0, përkundër se në këtë sfidë për vendasit u paraqitën të gjithë futbollistë të rinj ku shumica ishin nga juniorët.

Ismaili tregon për ndjenjat që pati në atë takim, pasi së bashku me Edison Kqikun dhe Oliton Bilallin ishin të vetmit që kishin përvojë në Superligë.

“Kemi qenë të gjithë futbollistë të rinj dhe normalisht që Prishtina ka qenë super favorit para ndeshjes. Por ishim të vendosur të luftonim shumë, të jepnim gjithçka nga vetja që të marrim rezultat pozitiv”.

“Askush nuk ka besuar se do të mund të marrim së paku një barazim, por ne futbollistët edhe pse të ri në moshë ishim të vendosur për mos tu dorëzuar lehtë dhe në fund ia dolëm ku vërtetë ishte kënaqësi dhe treguan të gjithë se kanë të ardhme të ndritur”, tha Ismaili për Telegrafin.

Ai ishte i jashtëzakonshëm në duel me Prishtinën duke qenë një lider i Gjilanit, teksa falë paraqitjes së mirë zuri vend edhe në formacionin e javës së dytë nga redaksia e Telegrafit.

Tutje ai foli edhe për riorganizimin e klubit, trajnerin Gentian Mezani si dhe prurjet e reja.

“Klubi është mirë tani dhe në duar të sigurta. Kanë ardhur investitorë të rinj që na kanë premtuar se nuk do të ketë më probleme”.

“Kemi një trajner të ri si profesor Mezani i cili ka bërë shumë mirë edhe më herët me klubin si dhe disa transferime të reja ku do të bëjmë një skuadër shumë të mirë”, u shpreh Ismaili që foli edhe për objektivat që kanë me SC Gjilanin këtë edicion.

“Nuk do të jetë lehtë pasi prurjet e reja kanë ardhur me vonesë. Gjithsesi ne shohim ndeshje pas ndeshje dhe qëllimi është normalisht të kapim sërish një vend që na dërgon në garat evropiane”, tha Ismaili.

Ai është vetëm 20 vjeçar, por në fushë loja e tij është shumë e pjekur dhe luan sikur të kishte shumë vite përvojë.

Ismaili thotë se ëndrra e tij e madhe është që të luaj në Evropë dhe vetëm me punë mund ta bëj realitet një gjë të tillë.

“Nuk është se nuk ka pasur interesime edhe nga disa skuadra evropiane ku menaxheri im po punon në këtë drejtim. Gjithsesi tani këtë verë nuk ka ndodhur transferimi dhe unë fokusin e kam 100 për qind te Gjilani”.

“Ëndrra ime e madhe dhe e secilit futbollist në Kosovë është të luaj në Evropë dhe jam i bindur se do ta bëj realitet vetëm duke punuar pa ndalur dhe duke dhënë maksimumin në fushë”.

“Shpresoj që në janar ose në qershor të vije ndonjë ofertë e rëndësishme nga Evropa dhe të luaj atje”, tha Ismaili.

Mesfushori qendror ka qenë pjesë e Kosovë U19, derisa falë paraqitjeve të mira që kishte pritet të ftohet edhe nga Përfaqësuesja dardane e U21 për ndeshjet e muajit shtator. /Telegrafi/ 

Exit mobile version