LAJMI I FUNDIT:

SHBA tërhiqet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

SHBA tërhiqet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke e quajtur trupin ndërkombëtar të ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të njeriut si “hipokrit dhe vetë-shërbyes”.

Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka qenë Nikki Haley, ambasadorja amerikane në OKB, ajo që ka thënë se masa nuk është një tërheqje nga angazhimi i SHBA-ve për të drejtat e njeriut.


Siç thuhet më tej, Haley ka akuzuar organizatën 47-anëtarëshe për “paragjykim kronik anti-izraelit” që kur ajo mori detyrën vitin e kaluar.

Zonja Haley e quajti këshillin “një organizatë që nuk është e denjë për emrin e saj”.

Po sipas mediave të huaja, SHBA ka kërkuar prej kohësh që trupi të reformohet, duke thënë se lejon anëtarët që janë akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut.

Zonja Haley, duke njoftuar tërheqjen së bashku me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, tha se nëse këshilli do të reformohej, Shtetet e Bashkuara “do të ishin të lumtur të ribashkohen”. /Telegrafi/