LAJMI I FUNDIT:

SHBA, shtetësi për emigrantët ilegalë

SHBA, shtetësi për emigrantët ilegalë

Shtëpia e Bardhë po harton planin për emigracionin, i cili do t’u lejojë emigrantëve të paligjshëm të bëhen shtetas të përhershëm amerikanë, brenda tetë viteve.

Prestigjiozja amerikane “USA Today” shkruan se, sipas këtij propozimi, 11 milionë emigrantë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara mund të aplikojnë për një vizë të re, që do të quhet “Emigrantë me Perspektivë të Ligjshme”.

Nëse ata aprovohen, mund të aplikojnë të njëjtën gjë për bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, që jetojnë jashtë vendit. Gazeta “USA Today” bëri të ditur se, sipas planit të hartuar nga Shtëpia e Bardhë, emigrantët duhet t’i nënshtrohen një kontrolli të së kaluarës së tyre, të paraqesin të dhënat biometrike dhe të paguajnë një shumë të ardhurash, për t’u kualifikuar për vizën e re, transmeton TCH.


Pas miratimit, ata mund të jetojnë në Shtetet e Bashkuara për katër vjet, mund të punojnë dhe të largohen nga vendi vetëm për periudha të shkurtra. Më pas mund të aplikojnë për ta zgjatur vizën.

Emigrantët mund të aplikojnë për banim të përhershëm për tetë vjet, vetëm nëse njohin gjuhën angleze, historinë amerikane dhe kanë paguar taksat. /Telegrafi/