Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë raportuar rreth 60 mijë raste të reja me coronavirus brenda 24 orëve të fundit, sakaq numri i përgjithshëm i të infektuarve u rrit gati në 3 milionë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet e ditur se që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, rreth 131 mijë persona kanë ndërruar jetë në SHBA. Vetëm të martën vendi raportoi 1,000 të vdekur.

Bëhet e ditur se Texas konfirmoi rreth 10 mijë raste të reja, ngjashëm me Kaliforninë e cila raportoi rreth 10 mijë të prekur brenda një dite.

Ndërkohë, në të njëjtën situatë kritike gjendet edhe New York dhe Florida.

Kujtojmë se numri i përgjithshëm i të prekurve globalisht nga pandemia, u rrit në 11 milionë, ndërkaq 538 mijë njerëz kanë ndërruar jetë.

Megjithë situatës së krizës globale, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi Kongresin të martën se SHBA do të tërhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). /Telegrafi/