LAJMI I FUNDIT:

SHBA jep 15 miliardë dollarë ndihma për kompanitë ajrore

SHBA jep 15 miliardë dollarë ndihma për kompanitë ajrore

Kompanitë amerikane të fluturimeve kanë marrë një ndihmë tjetër prej 15 miliardë dollarë, që do të shërbejë kryesisht për të mbajtur punëtorët, të paktën deri më 31 mars.

Këto do të ripaguajnë vetëm 30 për qind të shumës, për një periudhë 10-vjeçare.


Departamenti i Thesarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka filluar shpërndarjen e pagesave të ndihmës për kompanitë e fluturimeve, në vlerën e 15 miliardë dollarëve. Paratë u alokuan nga Kongresi dhe do të ndihmojnë rreth 32 mijë punonjës të sektorit të fluturimeve, të paktën deri më 31 mars. Kompanitë e mëdha të fluturimeve që marrin asistencën, do të ripaguajnë vetëm 30 për qind të kësaj shumë për një periudhë 10-vjeçare, me interesa të ulëta.

Kompania Delta Air Lines deklaroi se pret që të marrë rreth 2.9 miliardë dollarë në total, ndërsa 830 milionë dollarë do të jenë në formën e një kredie të pasiguruar. Delta e mori pjesën e parë të pagesës prej 1.4 miliardë dollarë në ditën e premte. Në muajin mars të vitit të kaluar, Kongresi miratoi ndihmën e parë prej 25 miliardë dollarë në mbështetje të vendeve të punës për një periudhë 6-mujore.

Thesari tha se ka arritur marrëveshje me 12 kompani të sektorit, që përfaqësojnë rreth 95 për qind të kapacitetit ajror të Shteteve të Bashkuara.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, deklaroi se programi do të ofrojë ndihmë ekonomike shtesë për punonjësit dhe njëkohësisht do të mbrojë fondet e taksapaguesve.

American Airlines dhe United Airlines së bashku njoftuan se rreth 32 mijë vende pune janë në rrezik, por, ndihma e re do t’i mbajë ata në punë deri më 31 mars. /Telegrafi/